mercoledì 9 luglio 2008

G99,DEPOZITON PROPOZIMET PER VOTEN E EMIGRANTEVE NE PARLLAMENT!

Për Përfshirjen në Kodin e Ri Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë të Votës së Jashtme
KOMENTE PREAMBULUESE
Bashkatdhetarët tanë, që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, përfaqësojnë një komunitet tejet të rëndësishëm, jo vetëm për shkak të numrit të tyre të madh, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm ekonomik që ata kanë dhënë ndër vite në zhvillimin e vendit. Por ndonëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u njeh këtyre shtetasve të drejtën për votim në zgjedhje, ende mungojnë mekanizmat e nevojshme për të përmbushur këtë të drejtë kushtetuese. Nisur nga arsyet e mësipërme si dhe nga një konsideratë praktike se privimi i komunitetit shqiptar jashtë vendit nga e drejta e votës do të ketë si pasojë të tij të natyrshme ftohjen e këtyre shtetasve ndaj fateve të Shqipërisë, padyshim që ka ardhur koha që shteti shqiptar krijojë mekanizmat e duhura ligjore e administrative që do t’u garantojnë bashkatdhetarëve tanë mundësinë për t’u bërë pjesë e proceseve politike, dhe përmes tyre të fateve të vendit.
Pjesëmarrja e shtetasve jashtë atdheut
Shtetasve shqiptarë jashtë atdheut u duhet mundësuar pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme si dhe në referendumet kombëtare për arsye se këto kanë ndikim në zhvillimet kombëtare, të parat duke përcaktuar përfaqësimin legjislativ në rang vendi dhe të dytat duke vendosur për çështje të cilat janë me interes mbarëkombëtar.
Përfaqësimi Politik
Përfaqësimi politik i votuesve të jashtëm duhet të jetë në përputhje me distriktet elektorale ekzistuese brenda vendit, pra votuesit e jashtëm duhet të votojnë në distriktet elektorale të qendrave të tyre të banimit ku kanë qenë të regjistruar përpara largimit të tyre nga vendit, pasi vetëm ky model u jep atyre peshën reale në jetën politike të vendit.
Regjistrimi si votues
Një ndër elementët kyç për të garantuar që votimi i jashtëm të jetë i pamanipulueshëm dhe i drejtë, është regjistrimi i votuesve. Për t’i garantuar mundësinë e votimit një numri sa më të madh shtetasish shqiptarë që jetojnë jashtë, procedurat e regjistrimit duhet të jenë sa më të thjeshta, duke respektuar njëkohësisht kriteret që nevojiten për sigurinë e procesit.
Shtetasit shqiptar jashtë atdheut do të duhet të shprehin vetë dëshirën për të votuar duke u paraqitur në misionet diplomatike, ose duke bërë një kërkesë për këtë qëllim me anë të postës normale apo postës elektronike, drejtuar një strukture të posaçme të krijuar pranë KQZ, e cila do të merret me procesin e regjistrimit të votuesve të jashtëm. Kësaj kërkese duhet t’i bashkëngjitet adresa fizike dhe mundësisht një adresë e-mail. Në këtë mënyrë shteti do të ketë një ide të saktë për numrin e shtetasve jashtë vendit që duan të votojnë.
Shtetasve që kanë shprehur dëshirën të votojnë u niset me postë rekomande dhe kthim të parapaguar nga shteti shqiptar një material informativ ku shpjegohen procedurat e regjistrimit, si dhe një formular regjistrimi që përmban pyetje mbi të dhënat e tyre personale, si dhe informacion mbi njësinë territoriale administrative në Shqipëri ku ata kanë qenë të regjistruar përpara largimit nga vendi. Atyre do t’u kërkohet po ashtu të nënshkruajnë një deklaratë ku shprehin pëlqimin që emrat e tyre të spastrohen nga listat e votuesve në territorin shqiptar duke u vendosur në një listë te posaçme për votuesit e jashtëm. Materialet do t’u dërgohen atyre me një shërbim postar rekomande të parapaguar nga shteti shqiptar. Kjo praktikë shërben për të konfirmuar identitetin e shtetasit që ka shprehur interesin për t’u bërë votues i jashtëm, duke shmangur në këtë mënyrë abuzime të mundshme.
Lista e personave që kanë marrë në dorëzim materialin që shërben për regjistrimin e tyre si votues të jashtëm dhe që kanë dorëzuar formularët e plotësuar të aplikimit, përpunohet nga një strukturë e posaçme pranë KQZ e cila bën verifikimin e aplikimeve dhe të identitetit të shtetasve sipas të dhënave që shteti disponon. Emrat e shtetasve që kanë paraqitur kërkesën për të votuar përfshihen në listën e votuesve të jashtëm, ku ndahen sipas distrikteve elektorale ku iu figuron emri në Shqipëri.
Pas kësaj shtetasve me banim jashtë shtetit iu dërgohet një kod individual regjistrimi në formën e një bar-kodi të skanueshëm i cili së bashku me pasaportën do të shërbejë si element kryesor identifikues, dhe ku përveç të dhënave personale të votuesit të jashtëm do të përfshihet dhe informacioni për distriktin elektoral ku do të llogaritet vota. Informacioni që përmban bar-kodi do të jetë i shifruar dhe do t’i referohet informacionit të bazës së të dhënave qendrore për votuesit e jashtëm të krijuar nga struktura e caktuar për të administruar votën e shtetasve shqiptarë jashtë atdheut. I gjithë ky proces do të përfundojë 60 ditë pëpara ditës së votimit.
Mënyra e Votimit
Votimi me postë është mënyra e votimit që garanton pjesëmarrjen në votime të një numri sa më të madh shqiptarësh jashtë atdheut, kostot më të ulëta dhe sigurinë më të madhe të procesit të votimit. Votimi do të funksionojë si më poshtë:
Votuesit e jashtëm të regjistruar do t’i marrin fletët e votimit nëpërmjet një shërbimi postar special rekomande të paguar nga shteti 2 javë pëpara ditës së votimit në Republikën e Shqipërisë. Për të marrë në dorëzim fletën e votimit atyre do tu duhet të paraqesin pasaportën, si dhe të firmosin mandatin e postës.
Çdo votues i jashtëm e fut fletën e plotësuar të votimit në një zarf të pashënuar, të cilin më pas, së bashku me një fotokopje të pasaportës dhe kodin individual të regjistrimit e fut në një zarf të dytë, i cili do t’i jepet nga shërbimi postar. Edhe në këtë rast votuesit të jashtëm do t’i duhet të paraqesë një dokument të vlefshëm identifikimi tek kompania postare që është ngarkuar me administrimit e këtij procesi.
Pas mbërritjes në Shqipëri, struktura përgjegjëse për administrimin e votës bën verifikimin e të dhënave të çdo shtetasi, pra skanon bar-kodin, për të përcaktuar distriktin për të cilin është votuar. Vetëm pas kësaj zarfet e pashënuar që përmbajnë votat e votuesve të jashtëm, shpërndahen sipas distrikteve përkatës, duke siguruar në këtë mënyrë fshehtësinë e votës së secilit votues.
Numërimi i votave do të bëhet në nivelin qendror pra nga struktura që administron të gjithë procesin dhe më pas votat do të alokohen në distriktin përkatës.
Procesi i votimit të jashtëm do të përfundojë një javë përpara ditës së votimit. Rezultatet do të bëhen të njohura njëkohësisht me rezultatet e votimit brenda territorit të Shqipërisë.
Administrimi
Procesi i votimit të jashtëm, që nga regjistrimi i votuesve e deri tek numërimi i votave, do të administrohet nga një strukturë e veçantë brenda KQZ e quajtur Komisioni Qendror për Votën e Jashtme (KQVJ). Do të jetë detyra e kësaj strukture të bëjë administrimin e regjistrimit të votuesve të jashtëm. KQVJ në bashkëpunim me KQZ do të bëjë edhe pastrimin e emrave të votuesve të jashtëm nga listat e votuesve që votojnë brenda territorit të Shqipërisë. KQVJ do të jetë po ashtu struktura që do të numërojë dhe do të alokojë votat e jashtme. Përgjegjësi e KQVJ do të jetë po ashtu përzgjedhja e shërbimit postar që do të kryejë shpërndarjen dhe mbledhjen e votave; përzgjedhje që do të bëhet me tender në bazë të çmimeve të leverdishme, por sidomos të kushteve të sigurisë që ofron secili kandidat.
Informimi
Shteti Shqiptar duhet të ndërmarrë një fushatë intensive për të informuar bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut për mundësinë e votimit si dhe për mënyrën se si mund të vetëregjistrohen si votues të jashtëm. Për këtë qëllim Shteti Shqiptar mund të përdorë mediat shqiptare që kanë shikueshmëri të lartë tek komunitetet shqiptare jashtë atdheut si dhe lajmërime të paguara në mediat lokale të vendeve pritëse. Një rol të rëndësishëm mund të luajnë dhe shoqatat e emigrantëve dhe studentëve shqiptarë jashtë atdheut.
Kuadri Ligjor
Garantimi i së drejtës kushtetuese për të votuar do të kërkojë dhe krijimin e kuadrit të duhur ligjor për organizimin e votës së jashtme. Kjo do të kërkojë që kodi elektoral i Shqipërisë të marrë parasysh pikat e mëposhtme:
Të përcaktohet modeli i përfaqësimit politik për votën e jashtme;
Të përcaktohen procedurat e votimit të jashtëm;
Të përcaktohet krijimi i listave për votuesit e jashtëm;
Të përcaktohet ngritja e strukturës që do të administrojnë procesin;
Të përcaktohet një buxhet specifik për të mbuluar kostot e votimit të jashtëm.

Nessun commento: