Emigracioni dhe shteti amë
Edhe unë falënderoj Zotëri Uk Lushin që nxiti diskutimin rreth relacioneve emigracioni dhe shteti amë, si dhe të tjerët që po inkuadrohen në diskutimin e kësaj tematike.
Fillimisht dëshiroj të bëjë një sqarim, se po ngatërrohet shprehja diasporë dhe emigracion, prandaj do propozoja që në këtë diskutim të bëhet dallim përkatës dhe secila të përdorët në rastin përkatës. Shprehja diasporë rrjedh nga greqishtja e vjetër dhe i atribuohet grupit të një etnie që ç’vendoset nga trojet e veta dhe zë vend në një hapësirë të caktuar, ku edhe mbetet deri sa të asimilohet. Kurse emigracion vjen nga anglishtja dhe i atribuohet atyre njerëzve që dalin nga atdheu i tyre për të punuar në një shtet tjetër, me përcaktim që të kthehen po në atdheun e tyre. Kurse shprehja imigracion rrjedh po nga anglishtja dhe u atribuohet atyre që vinë nga një shtet për të punuar në shtetin tend. Aktualisht mund të flasim për diasporën e abreshëve në Itali, të arvanitëve në Greqi dhe të arnautëve në Turqi. Kurse për shqiptarët që kanë emigruar për të punuar në dekadat e fundit në Evropën Perëndimore, në Itali, në Greqi, në ShBA e gjetiu, dhe ende nuk janë ngulitur atje juridikisht e jetësisht, por mendojnë që të kthehen në vendlindjet e tyre, duhet të përdorët shprehja emigracion. Ndërsa kur suedezi, amerikani, gjermani, etj., flasin për shqiptarët dhe të tjerët që kanë shkuar për punë në shtetet e tyre, atëherë ata e praktikojnë shprehjen imigrant, gjegjësisht imigracion.
Tani po i kthehem shkurtimisht tematikës. Qeveritë e republikave të Shqipërisë dhe Kosovës janë në “hall” se si t’i “menaxhojnë” qytetarët e “tyre” në këto shtete, për të mos thënë nuk po duan ose nuk po dinë t’i qeverisin shtetasit e tyre. Nga kjo rrjedh edhe mosdija ose mosdashja për të “menaxhuar” emigracionin dhe për tu përkujdesur më shumë për diasporat. Kurse sa u përket qeverive të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, ato jo vetëm që nuk ju intereson për emigracion shqiptar, por ato janë të angazhuara aktualisht e kushtimisht se si t’i asimilojnë shqiptarët etnik në këto shtete.
Ekzistojnë një mori shtetesh që kanë ministri të emigracionit ose ministri të imigracionit, për të “menaxhuar” më mirë të emigruarit ose të imigruarit. Republikat e Shqipërisë dhe e Kosovës, edhe pse kanë mbi një të tretën e shtetasve të emigruar, ende nuk kanë formuar ministri për emigracionin, por vetëm agjenci simbolike, në Shqipëri në kuadër të Ministrisë se jashtme, kurse në Kosovë në kuadër të Ministrisë se kulturës, të rinisë e të sporteve. Në Kosovë Kryeministri Thaçi tani ka emëruar si Këshilltar për emigracionin Zotëri Mustafë Xhemailin, i cili po përpiqet të bind Kryeministrin që në Republikën e Kosovës të formohet ministria e emigracionit dhe e diasporës.
Mbase qeveritarët e këtyre dy shteteve do të vetëdijesohen për rolin dhe meritat e diasporës në shekullin e 19-të dhe në dekadat e para të shekullit të 20-të. Në diasporat shqiptare të Italisë, të Greqisë, të Rumanisë, të Turqisë dhe të ShBA-ve e ka fillin Rilindja jonë kombëtare, gjegjësisht fillesat për vetëdijesimin tonë kombëtar dhe për hartimin e platformave përkatëse. Po kështu qeveritarët do të duhej të ndërgjegjësohen për angazhimin e gjithanshëm të emigracionit shqiptar pothuajse gjatë gjithë shekullit të 20-të për çlirimin tonë kombëtar. Në fund të fundit këto qeveri do të duhej të dinin se çfarë roli të madh social po luan emigracioni ynë, i cili tërthorazi dhe drejtpërsëdrejti ua ka mbushur edhe qeveritarëve të këtyre shteteve xhepat me deviza...
Tashmë është koha qe këto shtete dhe vetë emigracioni të ndërgjegjësohen për dobishmërinë reciproke dhe prandaj të merren më konkretisht se si do ta konkretizojnë e menaxhojnë këtë. Më konkretisht, shtetet tona kanë nevojë për dituritë, përvojat e kursimet e emigrantëve, ndërsa emigrantët kanë nevojë se si ti rrisin më shumë kursimet e tyre dhe të punojnë e jetojnë në shtetet e tyre, nëse këta i kanë mundësitë dhe dëshirojnë të kthehen që të ndihmojnë veten dhe shtetin e tyre. Këto qeveri aktualisht janë përqendruar se si të joshin vetëm të huajt për të investuar në shtetet tona, duke ua mundësuar atyre që të shfrytëzojnë sa më shumë pasuritë tona dhe fuqinë tonë të lirë punëtore, duke i nxjerrë përfitimet jashtë shteteve tona, ndërsa po të njëjtat qeveri nuk interesohen të joshin bashkëkombësit tanë që të kthehen dhe të investojnë e të punojnë në shtetet e tyre, edhe për shkak të interesit madhor nga kjo, pasi emigrantet përfitimet nga investimet e tyre do ti riinvestonin kryesisht në shtetet e tyre.
Për të qenë vërtetë kritik, fajin për këtë gjendje e kanë qeveritë dhe vet emigrantet, pasi qeveritë nuk dinë ose nuk duan të interesohen për emigracionin, kurse edhe vetë emigrantet nuk janë fortë të interesuar për tu kthyer në shtetet e tyre dhe për këtë mosdashje të tyre mundohen të fajësojnë qeveritë dhe nivelin e ulët të zhvillimit në shtetet tona...
Pa u zgjatur më shumë kësaj radhe, them se të dy palët kanë leverdi reciproke që të gjejnë bashkarish zgjidhje sa më konkrete, sa më të mira e më të praktikueshme. Për këtë qëllim ndoshta më mirë do të ishte që të interesuarit për këtë tematikë të përpilonin një projekt-elaborat dhe të ofrohet për diskutim, për ta “imponuar” pastaj si një platformë që do i përmbaheshin sa më kushtimisht qeveritë dhe emigracioni.
Diskutim të mbarë.
Me respekt,
ibrahim_kelmendi@yahoo.de
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento