KËSHILLI PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE E TË LIRIVE TË NJERIUTCOUNCIL FOR THE DEFENCE OF HUMAN RIGHTS AND FREEDOMSRR. NËNA TEREZË NR. 24/2 - I/I, PRISHTINË-KOSOVË; TEL. 381 (0) 249006 FAX: 381 (0) 38 244029E-MAIL:OFFICE@CDHRF.NET; HTTP://WWW.CDHRF.NET
KMDLNj
kërkon kthimin e të gjithë personave të zhvendosur!
Më 25 gusht 2009, prej orës 10:00-11:00, në lagjën "Kroi i Vitakut" të Mitrovicës, një grup prej rreth 35-40 personash të nacionalitetit sërb, banorë të lagjës në fjalë, kanë penguar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve, të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998/99. Të sipërpërmendurit i kanë sulmuar me gurë e mjete tjera të forta punëtorët shqiptarë duke i lënduar rëndë pesë punëtorë dhe lehtë pesë të tjerë. Në këtë përleshje janë lënduar edhe dy sulmues sërb. Sulmuesit sërb kanë hedhur në drejtim të punëtorëve shqiptar edhe një mjet shpërthyes. Ata janë larguar vetëm pas ndërhyrjes së policisë së EULEX-it me gaz lotsjellës. Pas kësaj, sërbë të lagjës "Kroi i Vitakut" kanë shtënë në ajër me armë të ndryshme automatike.Të nesërmen, më 26 gusht 2009, prej orës 08:00 punëtorët shqiptarë kanë tentuar sërish të punojnë në rindërtimin e shtëpive të tyre, por nuk janë lejuar nga pjestarët sërb të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e Policisë së EULEX-it. Komandanti i Stacionit të Policisë së Kosovës, Milija Milosheviq, u ka kumtuar banorëve një dokument me llogo të UNMIK-ut, ku, mes tjerash, thuhet "sipas Rregullores së UNMIK-ut 2000/45 dhe Udhëzimit Adminsitrativ 2002/26 përgjegjësi administrative në territorin e Mitrovicës Veriore ka Administrata e UNMIK-ut". Duke e pasë parasysh këtë, KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që të shpallë të pavlefshme të gjitha rregulloret dhe urdhëresat administrative të UNMIK-ut, që e cënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, po më 26 gusht 2009, në Mitrovicë Ministri i Punëve të Mbrendshme, Zenun Pajaziti, është takuar me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepin. Pas takimit ministri Pajaziti ka pohuar se zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës në Mitrovicë është Prishtina. Më pas ai ka mohuar se urdhëri për ndërprerjen e punimeve nga ana e Policisë së Kosovës është dhënë nga Prishtina. KMDLNJ është e mendimit se nëse zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës në Mitrovicë është Prishtina atëherë urdhëri për ndërprerjen e punimeve është dhënë nga Prishtina, e nëse urdhëri nuk është dhënë nga Prishtina, atëherë, ose zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës në Mitrovicë nuk është Prishtina ose Policia e Kosovës në Mitrovicë ka ndërprerë punimet pa urdhërin e Prishtinës.Në bazë të dhënave që posedojnë aktivistët e KMDLNj-së në Mitrovicë, edhe sot, më 27 gusht 2009, banorët shqiptarë të lagjës "Kroi i Vitakut" nuk janë duke u lejuar të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Prandaj, KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që strategjinë e saj për ta futur Veriun e Kosovës nën administrimin e saj ta bëjë publike para qytetarëve të Mitrovicës dhe të fillojë menjëherë implementimin e saj duke u garantuar më pas të gjithë qytetarëve, pa dallim kombësie, kthimin në pronat e tyre dhe respektimin e të të drejtave të njeriut sipas standardeve ndërkombëtare. Në të kundërtën, gjendja në Mitrovicë do të përkeqësohet dhe pasojat do të jenë vërtetë të paparashikueshme.Behxhet ShalaDrejtor Ekzekutiv i KMDLNj-së27 gusht 2009 Prishtinë
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento