martedì 19 maggio 2009

Nënpresidenti amerikan Xho Bajden mbërrin në Bosnje-Hercegovinë
Zëri i Amerikës18-05-2009
Nënpresidenti amerikan Xho Bajden mbërriti në Bosnje-Hercegovinë, ndalesa e parë e vizitës së tij triditore në Ballkan.Avioni i zotit Bajden u ul herët në mëngjes në Sarajevë, ku ai do të shoqërohet nga Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë thotë se zoti Bajden do të takohet me anëtarë të presidencës kolektive për të shprehur nevojën për të bashkëpunuar përtej ndarjeve etnike dhe për të krijuar një konsensus.
Udhëtimi në rajon është cilësuar nga administrata amerikane si një vizitë që do të demonstrojë se rajoni është një çështje kryesore në programin e saj.
Nënpresidenti do të vazhdojë turneun në Serbi, ku pritet të takohet të mërkurën me Presidentin Boris Tadiç dhe kabinetin e tij. Zyrtari i administratës tha se zoti Bajden nuk pret që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, por do të theksojë se Uashingtoni beson se e ardhmja e Ballkanit nuk mund të mendohet pa një rol qendror të Serbisë.
Ndalesa e fundit e zotit Bajden do të jetë Kosova ku ai shkon të enjten. Gjatë vizitës në Kosovë, tha zyrtar i lartë i administratës, zoti Bajden do të theksojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një Kosovë të pandarë, të pavarur dhe shumetnike. Ai do të flasë me udhëheqësit e Kosovës rreth përpjekjeve të mëdha që ata kanë bërë për ndërtimin e një shteti funksional dhe për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.//kk//

Nessun commento: