lunedì 18 febbraio 2008
DEKLARAT E PRESIDENTIT Z.TOPI PER KOSOVEN!
Pershendetje e Presidentit Topi me rastin e pavarsise se KosovesUnë përshëndes deklaratën e institucioneve të Kosovës, mbi bazën e të cilës Kosova shpall sot pavarësinë e saj! Dita e sotme është një ditë historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe fqinjët e saj, sepse përfundimisht korrigjon gabimet e rënda historike që janë bërë në këtë pjesë të Evropës. Sot është një ditë e lumtur, ditë e madhe dhe me shumë emocion për të gjithë Kosovën, për popullin e saj, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ata ndodhen, sot është dita e festës më të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Më së fundi ata do të kenë të gjithë bashkë shtetin e tyre më të ri në Botë dhe do të gëzojnë së bashku ata frytet e këtij shteti të ri evropian. Ky çast është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe fqinjët e saj, rajonin tonë dhe Evropën, sepse zgjidh përfundimisht hallkën e fundit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ngërçin e fundit politik, ushtarak e diplomatik si dhe krijon një hapësirë demokracie, sigurie, paqeje dhe stabiliteti afatgjatë. 17 shkurti 2008, ajo minutë historike që është fryt i kurorërizimit të përpjekjeve dhe sakrificave madhore, përbën fillimin e një epoke të re besimi reciprok dhe shprese në të ardhmen, në të gjithë Evropën, duke lënë përfundimisht pas, kohën e luftërave ndëretnike të përgjakshme, kohën e genocidit dhe spastrimeve mbi baza etnike, kohën e kombeve të privilegjuara e të nënshtruara. Kjo është fitorja më e madhe e demokracisë në Evropën Lindore që nga rrëzimi i Murit të Berlinit.Në këto çaste, ne kujtojmë me respekt dhe nderojmë veprën e të gjithë atyre që luftuan, sakrifikuan, dhanë jetën dhe gjakun e tyre, burrat, nënat dhe motrat kosovare, për realizimin e këtij akti historik. Sot, Kosova dhe gjithë institucionet e saj falenderojnë të gjithë aleatët e rëndësishëm ndërkombëtare, të cilët shprehën vendosmërinë dhe angazhimin e tyre serioz gjatë gjithë procesit të përfundimit të statusit të pavarësisë së Kosovës. Dëshiroj sot, të përshëndes të gjithë qytetarët e Kosovës dhe politikanët e saj, në mënyrë të veçantë Presidentin e Kosovës, zotin Sejdiu, Kryeministrin zotin Thaçi, Kryetarin e Parlamentit, zotin Krasniqi, të cilët po dëshmojnë përgjegjësi, dinjitet, maturi, kulturë, koncepte evropiane në procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, duke provuar se, e ardhmja e këtij shteti të ri është në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Këtë ditë, të gjithë duhet të përshëndesim rolin e patjetërsueshëm të faktorit shqiptar, i cili është kontribuesi më i madh për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon, i cili mbështeti të gjitha proceset e rëndësishme integruese euroatlantike dhe demokratike në rajon e në Evropë, duke u bërë një partner i besueshëm i NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot, është dita e së ardhmes së Kosovës, dita e së ardhmes për Shqipërinë, për të gjithë rajonin dhe për Evropën e Bashkuar.Ju faleminderit!
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento