lunedì 15 marzo 2010

RESPEKT E DRITE MBI ATA QE NA USHQEJNE SHPIRTIN SHQIPTAREnje qiri per NOLIN GJENI!



Përshëndetje Imzot Fan S. Noli ! Nga Kastriot Frashëri
(In Memorian - Me rastin e 45 vjetorit të vdekjes)

Përshëndetje Imzot! Pothuajse u bënë dy dekada Hirësia Juaj, që fati më ndihmoi t’u njihja në rrugën time të saponisur të dijes. Është vepra Juaj e ndritur që na krijon dhe do të na krijojë gjithmonë mundësinë të takohemi bashkë. Nuk të kemi harruar Imzot, sepse gjithmonë do të gjenden njerëz në këtë vend që do të përulen me respekt përpara veprës suaj brilante. Në fakt do të dëshiroja Imzot, që në këtë takim jubile, për shkak të mungesës Tuaj fizike, të binin kambanat e kujtimit dhe mirënjohjes kombëtare prej Ministrisë së Kulturës, qeverisë dhe presidentit të Shqipërisë, por për çudi Imzot asnjë pëshpërimë. Si kështu?! Çfarë ka ndodhur në këtë republikën tonë? Pse heshtin Kambanat...?!

Fan S. Noli - Ikona e Kombit
45 vjet më parë, më 13 mars 1965, në Florida, USA, mbylli sytë përgjithmonë, njeriu i madh i kombit imzot Fan S. Noli.

Librin e tij, për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, Fan S.Noli e fillon me këto fjalë: “Çdo hero në histori kalon në tre etapa, atë të lavdisë, të rrënimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë që në fillim ai ngrihet në qiell nga admiruesit e tij, pastaj rrënohet nga kritikët, dhe më së fundi… me durim, me mundim dhe me keqardhje rivlerësohet, përsëri nga historianë që janë esëll dhe jo të verbuar nga fanatizmi i admiruesve të heroit dhe as nga tërbimi i kritikëve të tij”.Dhe, për ironi, edhe Theofan Stilian Noli, si të gjithë njerëzit e mëdhenj, do të ketë kaluar gjithashtu nëpër këto tri etapa shqyrtimi.Meqenëse shqiptarët kudo në botë po përgatiten të përkujtojnë 45-të vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, lutjeve për kujtimin e tij, le t’u bashkohen edhe aktivitetet e shoqatave dhe rretheve patriotike e shkencore, ashtu siç e meriton jeta e vepra e tij brilante.

I lindur më 6 janar 1882, në Ibrik Tepe, një vendbanim shqiptar në Thrakën lindore të Turqisë Europiane, arsimuar në gjimnazin e Andrinopojës, themelues i Shoqatës Besa-Besë në Boston, drejtues i meshës së parë në gjuhën shqipe më 22 mars 1908 në Boston dhe themeluesi i autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare (Për këtë Faik Konitza do të shkruante: “Dita që ai dha meshën e parë shqip është një pikë kthese në historinë e Rilindjes shqiptare. Ne nuk mund ta harrojmë këtë dhe nuk mund t’i lemë të tjerët ta harrojnë…”), kryeredaktor i gazetës më të vjetër shqipe “Dielli” në Amerikë, themelues dhe President nderi gjatë gjithë jetës së tij i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, diplomuar në Universitetin e Hawardit, botues i “The Adriatik Rewiev” dhe “Republika”, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, anëtar i Parlamentit Shqiptar, ministër i Punëve të Jashtme, Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar Doktor i Filozofisë nga Universiteti i Bostonit, për disertacionin mbi heroin kombëtar Gj.K. Skënderbeu, autor i veprës “Bethoveni dhe revolucioni Francez”, si dhe “Historia e Skënderbeut”, botues i shumë veprave shqip mbi liturgjitë fetare, i nderuar nga Presidenti amerikan Lindon B. Xhonson, si dhe nga kompania e Radiodifuzionit Britanik në Londër(BBC) etj, etj.

Adhuruar nga pasuesit dhe respektuar nga shokët, për gjithë këto vlera dhe merita të pa diskutueshme, Fan Noli është parë si një personalitet i shquar që ndihmoi të restaurohej identiteti kombëtar i shqiptarëve, i cili ishte shtypur nën thundrën e pushtimeve osmane për rreth 5 shekuj. Si kishtar, burrë shteti dhe studiues, Noli u shqua në shumë fusha dhe bëri që atdheu i tij të njihet në spektrin ndërkombëtar, i dha dinjitet atij dhe e pasuroi gjuhën e popullit të vet. Me pak fjalë ai ishte instrumenti për të siguruar qëndrueshmëri dhe besim për lëvizjen shqiptare në rritje, shekullin që lamë pas. Ndonëse të tjerë shqiptarë të mëdhenj e paraprinë atë në zgjimin kombëtar, ai e pa atë të marrë formë dhe emri i tij u bë një pikë bashkimi, kryesisht më tepër se kudo në Amerikë, ku komuniteti i shqiptarëve ishte në gjendje të zhvillohej lirisht.

Ashtu si Tomas Jeffersoni, ai mbeti një humanist i shquar dhe një reformator energjik, i logjikshëm, i përpiktë dhe plot ankth për të ruajtur atë që besonte të ishte e drejta e patjetërsueshme e popullit të tij. Ai me modesti ka pohuar se: “Arritja ime më e madhe politike ishte pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve…”. Sepse ky akt themeltar vendosi një herë e përgjithmonë, kufijtë e Shqipërisë dhe i dha asaj njohjen nga e gjithë bota.

Ndonëse Shqipëria e kishte shpallur pavarësinë e vet qysh më 1912, është i njohur fakti që pa përpjekjen kolosale të tij në Gjenevë më 1920, kombi shqiptar zor se do të kishte mundur të ekzistonte si një etnitet koheziv në atë vit ogurzi për të gjithë shqiptarët. Për këtë gazeta e mirënjohur angleze “The Manchester Guardian” e atij viti shkruante: “Fan Noli është një një njeri që do të ishte i shquar në çdo shtet. Një diplomat i përsosur, një ekspert në politikën ndërkombëtare, një debatues i talentuar, qysh prej fillimit bëri një përshtypje të thellë në Gjenevë. Ai i hodhi poshtë kundërshtarët e tij ballkanikë në një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me një buzëqeshje. Ai është një njeri me kulturë të gjerë që ka lexuar çdo gjë të vlefshme që duhet lexuar në anglisht dhe fërngjisht”. Lordi anglez Cecill i shkroi atij: “Si përfaqësuesi kryesor i mbrojtjes së vendit tuaj, është e mjaftueshme të thoni vetëm se jeni shqiptar...”.

Enciklopedia e Madhe Greke, V. XVII, fq. 818-820, Athinë 1933, shkruan ndër të tjera për të se: “Fan Noli është një nga shqiptarët më të shquar në fushën e letrave…dhe një nga personalitetet më të fuqishme politike të Shqipërisë… Aneksimi i Epirit të Veriut nga Shqipëria ishte rezultat i politikës së mençur të tij. Në saj të kulturës së tij, njohjes së shumë gjuhëve dhe aftësive të tij gazetareske ai është bërë udhëheqësi dhe mendja frymëzuese e Rilindjes Shqiptare dhe kampioni kryesor i saj nëpër botë”. Ky përkufizim i shkruar në një vend, që e shikonte atë, si një nga kundërshtarët më të mëdhenj, është një vlerësim i madh për të besuar, në gjenialitetin e një njeriu të jashtëzakonshëm.

Jeta dhe vepra e tij, dëshmojnë dukshëm, se është një enciklopedi brilante, dhe në një artikull përkujtimor, është e pamundur të evidentosh ngjarje dhe vepra të tëra, sepse do të duhen vëllime pa fund për të përshkruar jetën e këtij titani të Rilindjes Kombëtare. Vepra e tij në çdo lëmë, si në atë patriotike e fetare ashtu edhe në atë politike e letrare është një monument i pavdekshëm. Fan S. Noli është apostulli i Shqipërisë, ai vetoi në qiellin tonë si meteori shkreptues.

Dhe për ta mbyllur mund të themi se: Tërë jetën me Moisiun në gojë, Fan Noli e ka përfunduar jetën si Moisiu. Tokën e dashur së cilës ia ka falur tërë rininë, tërë fuqinë dhe tërë zjarrin krijues, ai ka mundur ta shikojë vetëm prej mërgimit.

(Autori është zv/kryetar i Shoqatës Kombëtare Atdhetare Kulturore “Fan S. Noli”; drejtor i përgjithshëm, Instituti i Çështjeve Kombëtare)


Clic — > Site: Simbad
Blog: Amarus



.

Nessun commento: