Tirana, Prishtina dhe Shkupi mblidhen në Manastir. Vendimi i Kongresit, vlera të mëdha për njësimin e gjuhës shqipe
Berisha: Kongresi i Manastirit bashkoi idealet për pavarësinë
Vendimi i Kongresit të Manastirit ka kontributin e jashtëzakonshëm të bashkimit të kombit shqiptar rreth idealeve të pavarësisë kombëtare. "Vendimi i Kongresit të Manastirit ishte përcaktues jo vetëm për njësimin e gjuhës sonë, por ishte vendimtar dhe për njësimin, bashkimin e kombit shqiptar rreth idealeve të pavarësisë kombëtare". Me anë të kësaj deklarate, kryeministri Berisha ka përshëndetur dje, Akademinë solemne që u mbajt në shtëpinë e Armatës në Shkup, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, i njohur ndryshe si Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe. Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, ka shprehur falenderimet dhe mirënjohjen e tij të thellë për kryeministrin Gruevski dhe Qeverinë e Maqedonisë për organizimin, duke fisnikëruar vendin dhe kombin e tij, dhe duke nderuar mbarë shqiptarët. "Sot, ne nderojmë një nga ngjarjet më kulmore në historinë tonë kombëtare, 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, i cili së bashku me Lidhjen e Prizrenit do të përbënin dy zhvillimet më kryesore të kombit shqiptar", ka theksuar kryeministri Berisha në fjalën e tij përshëndetëse. Sipas tij, vendimi i Kongresit të Manastirit ishte përcaktues jo vetëm për njësimin e gjuhës, por ishte vendimtar për njësimin dhe bashkimin e kombit shqiptar rreth idealeve të pavarësisë kombëtare. "Alfabeti rilindi në Manastir. Gjuhës iu rikthyen germat, me të cilat pothuajse ajo kishte lindur. Por ata burra të mençur e të guximshëm të kombit, të udhëhequr nga Pader Gjergj Fishta, Mithat Frashëri e shumë të tjerë, të cilët vendosën të përzgjedhin alfabetin latin, i bënë kombit një shërbim të jashtëzakonshëm, pasi në ato vite luftërash në Europë dhe Ballkan, vite të shpërbërjes së perandorisë otomane, vite kur disa ndëshkoheshin, të tjerë shpërbleheshin, ekzistenca e kombit pa Vlorën dhe alfabetin do të ishte në pikëpyetje të madhe. Ishte Vlora dhe alfabeti që u shndërruan në shtyllat më kryesore frymëzuese të mbijetesës së kombit shqiptar, i cili sot jeton i lirë aty ku ndodhet, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo", tha Berisha.
Gjithashtu, kryeministri ka vlerësuar se ishte Kongresi i Manastirit dhe Lidhja e Prizrenit këto dy ngjarje që bënë të mundur shpalljen e pavarësisë në Vlorë. Pa këto dy ngjarje, kreu i qeverisë Berisha theksoi se, Vlora nuk do të ishte. "Pa Prizrenin dhe Manastirin, Vlora nuk do të ishte, sepse ishin këto ngjarje të mëdha, që bënë të mundur që shqiptarët të nisin rrugën e tyre të lirisë dhe pavarësisë", theksoi ndër të tjera kryeministri Berisha. Ndër të tjera, ai ka vlerësuar se shqiptarët dhe maqedonasit kanë një histori bashkëpunimi dhe një histori të përbashkët për liri. Berisha uroi mbarë shqiptarët kudo që janë me rastin e këtij përvjetori të gjuhës shqipe, që sipas tij është një nga gjuhët më të bukura të këtij planeti. "Sot në nderojmë një nga ngjarjet më kulmore në historinë tonë kombëtare, 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, i cili së bashku me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit do të përbënin dy zhvillimet më kulmore të kombit shqiptar nga koha e Skëndërbeut", tha ndër të tjera kryeministri Berisha. Në këtë aktivitet që përmbyll dhe veprimtaritë për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908) ishin të pranishëm dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe akademikë nga tre vendet, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ishte i pari që përshëndeti punimet e Akademisë, e më pas fjalën përshëndetëse e mori kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkohë që, Kongresi i Manastirit u mbajt nga data 14-22 nëntor të vitit 1908, nga patriotë dhe dijetarë shqiptarë, të cilët vendosën që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine.
Gruevski: Kongresi, ngjarje e ndritur e historisë së popullit shqiptar
Është zhvilluar dje, Akademia solemne me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe. Në ceremoninë që e nderuan edhe kryeministrat e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, të Shqipërisë, Sali Berisha dhe ai Kosovës, Hashim Thaçi, morën pjesë edhe personalitete të njohura të shkencës, kulturës dhe letrave shqipe. Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se kjo datë paraqet një dritë të ndritur në historinë e popullit shqiptar. "Kultivimi i datave dhe vlerave historike paraqet një përkushtim konstant i Qeverisë së Maqedonisë. Para 100 viteve pikërisht në Manastir u vendos nxitja më e madhe kulturore e shqiptarëve", theksoi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Sipas tij, Kongresi i Manastirit u zhvillua në një kohë turbulence, por që konkluzionet që dolën prej tij, sipas Gruevskit, nuk ishin drejtuar kundër popullit maqedonas, por edhe popujve të tjerë. "Ne ndajmë vlera të ndërsjellta dhe ky manifestim tregon unitetin tonë në këtë vend. Respekt ndaj kulturës dhe vlerave kombëtare shqiptare. Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë me kultivimin e vlerave kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera", theksoi kryeministri Gruevski.
Thaçi: Kjo Akademi, mesazh i fuqishëm për shqiptarët në rajon
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi dje se kjo Akademi ka një mesazh të fuqishëm për shqiptarët në rajon. "Shqiptarët, shekuj me radhë patën një histori me vlera të ndritura. Në Kongresin e Manastirit u shpalosën dy alfabete. Por vetë jeta dhe përcaktimi properëndimor i shqiptarëve përqafoi alfabetin latin", theksoi kryeministri Thaçi. Sipas tij, Kongresi i Manastirit është një akt historik që institucionalizoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe se është një ngjarje kulturore, që përqafoi alfabetin latin. "Sot, të gjithë shqiptarët janë krenarë pas 100 vjetësh me vendimet e Kongresit të Manastirit", theksoi kryeministri i Kosovës. Në këtë solemnitet kanë marrë pjesë edhe kryetarët e Akademive të Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, organizatorët i ndanë mirënjohje nderi tre kryeministrave të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, të Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkohë që, pas fjalimeve përshëndetëse të personaliteteve të pranishëm, Akademia solemne vijoi me një program artistik të udhëhequr nga Filarmonia e Maqedonisë, por me pjesëmarrjen edhe të artistëve të njohur shqiptarë.
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento