domenica 3 agosto 2008

shume zhurme per nje gje:te nderojme vertet Ismail Bej VlorenI

Ne që i kemi ndërruar emrin Ismail Bej Vlorës!
Nga Mero Baze
Debati i ndezur nga Senati i Universitetit të Vlorës rreth mundësisë së ndryshimit të emrit të këtij universiteti po shndërrohet në një farsë patriotike banale. Dhjetëra njerëz të atrofizuar, që mezi gjejnë rastin të shfaqen si patriotë, kanë shpërthyer në një histeri të pasinqertë, e cila nuk ka të bëjë fare me thelbin e problemit. Unë nuk e njoh rektorin Shaska dhe ndoshta nuk njoh asnjë anëtar senati. Të më falë ndonjëri, nëse e njoh dhe nuk e di që punon aty. Por debati që ata kanë provokuar, kam bindjen se është vlera më e madhe intelektuale që ata kanë prodhuar, që kur e kanë hapur atë universitet të dyshimtë për nga vlerat pedagogjike, standardet etj.
Por, duke mos dashur të merrem me universitetin, së pari duhet të merrem me Ismail Bej Vlorën. Babai i Kombit Shqiptar, siç mund ta quajmë pa drojë njeriun që ka udhëhequr procesin e shpalljes së pavarësisë sonë kombëtare, është një figurë, ndaj të cilit jemi treguar të padrejtë si shoqëri dhe si shtet. Së pari, babait tonë i kemi ndërruar emrin. Emri tij zyrtar dhe në dokumentin e shpalljes së pavarësisë është Ismail Bej Vlora dhe jo Ismail Qemali. Emri Ismail Qemali u shpik pas vitit 1944, kur Enver Hoxhës dhe regjimit komunist i vriste veshin fjala Bej dhe mbiemri Vlora. Të pacipë në qëndrimin ndaj familjes Vlora, ata internuan gjithë pasardhësit e tij, degraduan në kampe pune familjarët e familjes Vlora, diskriminuan dhe pasardhësit biologjikë të Ismail Bej Vlorës dhe i zhdukën atij identitetin. Titulli Bej që ai kishte, kur shpalli pavarësinë, dhe mbiemri i tij Vlora janë identiteti kryesor i Ismail Bej Vlorës. Ne ia kemi hequr këtë identitet zyrtarisht dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë e kemi fyer, duke ia zëvendësuar emrin real themeluesit të shtetit me një pseudonim. Nuk ka mbiemër Qemali në Vlorë dhe nuk ka ndonjë Ismail Qemali që ka shpallur pavarësinë. Emri i mesëm, Qemali, i marrë nga hierarkia e tij në Turqi, i është kthyer në mbiemër nga regjimi komunist dhe vazhdon të jetë i zyrtarizuar në mënyrë të turpshme nga pushteti i sotëm. Ne duhet së pari si shoqëri t’i kërkojmë ndjesë familjes Vlora, që i kemi hequr Babait të Kombit mbiemrin dhe titullin e tij dhe e kemi katandisur si një komunist ilegal që nuk dihet nga vjen dhe ku shkon. Duke qenë krejt të pacipë në sjelljen tonë historike ndaj familjes Vlora, duke e persekutuar dhe denigruar atë dhe gjithë pasardhësit e mëdhenj të saj, duke persekutuar fëmijët e Eqerem Bej Vlorës dhe Safa Bej Vlorës, duke grabitur testamentin e Ferit Pashë Vlorës dhe duke shitur sot përmes batakçinjve tokat e tij në bregdet të lëna si testament për të shkolluar fëmijët vlonjatë në Austri, ne jemi kthyer në një shoqëri të pafytyrë dhe diabolike ndaj kësaj familjeje. Shteti shqiptar ende nuk ka bërë asnjë gjest për t’i rikthyer dinjitetin kësaj familjeje. Eqerem Bej Vlora dergjet në Austri në një varrezë private, Safa Vlora në Itali, dhe pinjollët e familjes Vlora, që aq shumë i dha Shqipërisë, janë viktimat më të mëdha të regjimit të shkuar. Ideologët e atij regjimi tashmë qenkan bërë patriotë dhe po reagojnë. Kjo është e tepërt dhe si hipokrizi.
Së dyti, do të desha të rikthehem te banaliteti i përdorimit të emrave të figurave të mëdha të shtetit shqiptar. Të më falin lexuesit nga Kosova, por më duhet të tregoj një detaj banal nga ditët e para të lirisë në Kosovë. Në qershor të vitit 1999, pasi kisha hyrë bashkë me trupat e NATO-s në Kosovë, po shihja jo pa humor se “çlirimtarët” e rinj të UÇK çdo objekti që zaptonin apo çlironin i vinin emrin Adem Jashari. Ia vunë këtë emër teatrit, stadiumit, rrugëve dhe fabrikave, pushimoreve dhe çfarë gjenin para. Një ditë që unë humba në Prizren kolegun tim, kur u lidha pas pak në celular, m’u desh t’i tregoja se ku isha futur duke ngrenë qebap. Jam në një qebaptore, i thashë, që nuk di si është pas quajtur, por me siguri do ta ketë emrin Adem Jashari. Kaq mjaftoi të nervozoheshin disa ushtarë të UÇK në lokal dhe mezi i sqarova se kështu ka ndodhur me çdo lokal në Prishtinë. Një situatë e tillë thuajse banale po ndodh dhe në Shqipëri, por sidomos në Vlorë. Vlonjatët kanë qejf të kenë referenca të forta me historinë për çdo gjë që bëjnë dhe kështu ka ndodhur dhe kur e kanë hapur atë universitet. Së pari, i kanë vënë gabim emrin, se ai e ka emrin Ismail Bej Vlora dhe jo Ismail Qemali. Së dyti, është teprim i madh që një figurë kaq e madhe sa Ismail Qemali të përdoret për çdo lloj standardi. Të më falin pedagogët e Universitetit të Vlorës, por standardi i atij universiteti është ende shumë i ulët, për të mos më thënë më i ulët se shkolla “Ali Demi” apo “Halim Xhelo” dhe nuk ka qenë etik emërtimi me emrin e Ismail Qemalit, që nënkupton Ismail Bej Vlorën. Nëse shteti shqiptar dëshiron të respektojë Ismail Bej Vlorën, ka plot institucione, të cilave mund t’iu japë emrin e tij. Mund t’ia vendosë sallës së parlamentit, mund t’ia vendosë bulevardit qendror në Tiranë, mund t’ia vendosë Universitetit të Tiranës apo dikujt tjetër. Në Universitetin e Vlorës, Ismail Bej Vlora ndjehet si Adem Jashari në qebaptoren e Prizrenit. Debati fals që ka shpërthyer për këtë çështje, është hipokrit dhe banal. Ai nuk ka lidhje as me dashurinë dhe respektin ndaj Ismail Bej Vlorës, as me vlerat dhe standardet mendoj të dyshimta të Universitetit të Vlorës. Unë mendoj se një orë e më parë ai universitet duhet të quhet Universiteti i Vlorës për ta identifikuar vlerën e tij me qytetin që e mban. Nëse një ditë ai arrin të rrisë performancën e tij dhe të bëhet i denjë, le të marrë emrin Ismail Bej Vlora. Por, ju lutem, jo Ismail Qemali, se ai nuk ka qenë emri i tij. Nëse e ringremë nga varri dhe i tregojmë atë emër, do të thotë: “Nuk është i imi, kot bëni zhurmë”. Dhe kot bëni zhurmë vërtet për një njeri që s’e keni dashur kurrë dhe vazhdoni t’i persekutoni dhe fyeni familjen, të cilën të parën ia keni hequr nga mbiemri. Ne që i kemi hequr emrin Ismail Bej Vlorës dhe ia kemi ndërruar atë pa e pyetur, pas vdekjes duhet së paku të heshtim dhe t’i kthejmë njëherë emrin e tij të vërtetë. Pasi ta kemi bërë këtë, të gjejmë një institucion të denjë për t’ia përjetësuar emrin real. Universiteti i Vlorës, që ngjan me një kioskë pa leje në ndërtesat e dyshimta të arsimit shqiptar, as meriton dhe as duhet të lejohet të ketë emrin e Babait të Kombit tonë, babait që ende s’po i flasim në emër, sikur ta kishim njerkë

Nessun commento: