sabato 26 luglio 2008

koment:dosjet ,enigma e BERISHES!

KOMENT
Dosjet e spiunëve, sekreti i Berishës

Nëse këtë herë maxhoranca nuk bën shaka me deklarimin se do të hap dosjet e ish spiunëve të Sigurimit të shtetit komunist, a do të pranojë Berisha të djegë “ Të Mirin”,“Stilolapsin”, “Dizenjatoren”, “Tigrin”, “Rrezen e Diellit”, “Cigaren”, “Alfons Ballshën”, “Raketën”, “Korçarin”, “Financierin”, “Ekonomistin”, “Qukapikun”, “Korabin”,“Ushtar-Masovikun”, “Infermierin”, “ Shkrimtarin”, “Minatorin”, etj.

Xhovani SHYTI

Hapja e dosjeve dhe dekonspirimi i ish spiunëve të ish strukturës së shërbimit të fshehtë të Sigurimit të Shtetit komunist nuk është e para herë që kërkohet. Madje ky ka qenë një ndër sloganet me të cilat kryeministri i sotëm Sali Berisha, i porsafutur në politikën opozitare të vitit 1991, joshi shtresat viktima të kësaj strukture, për ti marrë votat. Madje-madje, premtimi i atëhershëm berishian shkonte edhe më tej, kur deklaronte se jo vetëm që spiunët do të dekonspiroheshin, por persekutorëve do ti mbyllej dera e pjesëmarrjes në administratën shtetërore dhe jetën politike. Mirëpo çfarë ndodhi?
Kur Partia Demokratike fitoi pushtetin në viti 1992 dhe Berisha zaptoi kolltukun e presidencës, jo vetëm e harroi hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve dhe inkuizitorëve, por si kategori më të preferuar për qeverisjen dhe “demokratizimin” e partisë që drejton preferoi pikërisht ish spiunët dhe inkuizitorët.
E përmendëm këtë të kaluar për tu rikthyer tek argumenti se sloganet e përdorura aktualisht nga kryetarja e Parlamentit, Xhozefina Topalli, për pastrim të politikës nga ish spiunët dhe kuadrot e ish Sigurimit të Shtetit Komunist, nuk janë veçse reminishenca të bajatizuara të asaj kohe, të shitura si politikë e re e maxhorancës. Është e njejta gjë si me sloganin “duart e pastra” që Berisha e përdori në fushatën elektorale parazgjedhure 2005, për ta shndrruar, më pas, në të paqenë për votuesit, por një realitet virtual për vetë atë dhe shpurën që e ndjek pas, jo pa interesa përfituese.
Në këtë kontekst rihedhja mbi tryezë e nismës maxhorative për hapjen e dosjeve të spiunëve përveçse është një slogan propagandistik nxjerr në pah një nga armët sekrete të Sali Berishës, të cilin ai e ka përdorur që në raundin e parë të karierrës së tij politike dhe vazhdon ta përdorë, jo pa sukses, edhe sot, për të konsoliduar pushtetit e tij personal.
Bëhet fjalë për “kompromatin”, një term ky që presupozon qeverisjen me dy kategori kuadrovikësh, përkatësisht spiunët dhe të korruptuarit, të cilat i gjen me shumicë të jenë prezente në strukturën e sotme administrative.
Metodologjia kompromative e përzgjedhjes i përket rregjimit komunist dhe është përdorur suksesshëm jo vetëm nga ish arma e Sigurimit të Shtetit shqiptar, por nga të gjithë homologët e tij të ish vëndeve komuniste.
Aplikimi i kësaj metode ka në themel kompromentimin, nëpërmjet shtrëngimit, për ti siguruar Njeshit rrethimin nga kuadro drejtues “eunuk”, pra që kanë sy, por bëjnë sikur nuk shikojnë, kanë vesh, por bëjnë sikur nuk dëgjojnë, që kanë nerva, por nuk dinë të kundërshtojnë.
Kjo shuarje e sistemit receptive biologjik të tyre rrjedh nga qënia moralisht të kompromentuar, që don të thotë se edhe kur ndodh që tu zgjohet instikti i kundërshtisë i vjen në mend dosja, që përmban abuzimet apo pseudonimin, e që ndodhet në dorën e “Kompetentit”, e gjithçka u rikthehet në gjëndjen fillestare.
Kështu që ndërsa nga aplikimi i metodës së kompromatit, lideri siguron përjetësinë e pushtetit, të kompromentuarit ecin krah tij të gatshëm për të bërë gjithçka.
Është kjo arsyeja që nëse do të studiosh strukturën e administratës së sotme shtetërore, apo edhe nomeklaturën e politikës, do të vëresh se kategoritë e ish spiunëve dhe të zyrtarëve të korruptuar janë nga më të gjindshmet në to.
“Stilolapsi”, “Dizenjatorja”, “Rrezja e Diellit”, “Gjitari”, “Cigarja”, “Alfons Ballsha”, “Raketa”, “Korçari”, “Financieri”, “Raketa-5”, “Drita e kuqe”, “Ekonomisti”, “Qukapiku”, “Korabi”, “Tigri”, “Ushtar-Masoviku”, “Trëndafili”, “Burbuqi”, “Fatosi”, “Demoni”, “Stilografi”, “Naftëtari”, “Drita”, “Arsimtari”, “I miri”, “Urithi”, “Pashtriku”,”Nëmërçka”,” Tigri”, “Bualli i kënetës”, “Pëllumbi”, “Diplomati”, “Këndezi”, “Poeti”, “Podujeva”, “Stuhia”, “Kastori”, “Parafabrikati”, “Kitara”, “Infermieri”, “Shkrimtari”, “Minatori”, “Rrezja e Kuqe”, “Çiftelia”,”Korani Myzeqesë”, “Çorapja” etj., – janë vetëm disa nga identitetet e të kompromentuarve, karriera e të cilëve ka po të njejtën moshë dhe po të njejtën kurbë grafike, me atë të Berishës.
Kështu që, nëse këtë herë maxhoranca e ka me të vërtetë dhe nuk bën shaka me hapjen e dosjeve dhe dekonspirimin e ish spiunëve të ish shërbimit sekret komunist, i bie që jo vetëm pjesa e sipërpërmendur të dalë jashtë lojës së politikës, por ta lerë fushën edhe vetë Berisha, karriera politike e të cilit merr jetë pikërisht nga emrat dosje që e rrethojnë. Një kosto, kjo, vështirë e pranueshme për të.

Bot.16 korrik 2008

Nessun commento: