lunedì 16 giugno 2008

THIRRJE: FIRMOSNI PETIZIONIN!

PETICION për votën e Emigrantëve

Afërsisht një e treta e popullsisë së Shqipërisë punon dhe jeton jashtë vendit tonë, duke i dhënë një ndihmesë të vecantë familjarëve të tyre në Shqipëri, dhe duke siguruar frymëmarje për ekonominë tonë. Ndonëse të shkëputur dhe të zhgënjyer prej realitetit të vrazhdë në vend, komuniteti i shqiptarëve që jeton jashtë ka dhënë ndër vite një kontribut të pallogaritshëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Vetëm dërgesat e tyre, të cilat përllogariten afërsisht në 1 miliard Euro në vit, janë katër herë më të larta se investimet e huaja të dretpërdrejta. Por, me gjithë kontributin e jashtëzakonshëm, të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë janë të limituara. Mungesa e vullnetit politik ndër vite ka bërë që shtetasve shqiptarë jashtë atdheut t’u mohohet e drejta e votës, ndonëse kjo e drejtë u njihet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.Ka ardhur koha që këta njerëz, të afërm e bashkëqytetarë, të kenë mundësi të shprehen, të zgjedhin e të dëgjohen. Duke qënë shqiptarë, duke kontribuar për të ardhmen e Shqipërisë, emigrantët tanë që jetojnë jashtë duhet të gëzojnë edhe mundësinë për të marrë pjesë aktive në jetën politike të vendit, duke votuar sa herë në Shqipëri mbahen zgjedhje apo referendume. Ne besojmë se garantimi i votës, përvecse përbën një detyrim ligjor dhe moral për shtetin shqiptar, do te ketë në të njëjtën kohë edhe një ndikim mjaft pozitiv ne zhvillimin e demokracisë në vend, duke qënë se bashkëatdhetarët tanë jashtë Shqipërisë janë sigurisht ndër bartësit më të sigurtë të vlerave demokratike. Garantimi i së drejtës së votës për bashkëatdhetarët tanë jashtë vendit dhe dhënia e mundësisë për të ndikuar në fatet e atdheut janë po ashtu garancia më e sigurtë për konsolidimin dhe forcimin e lidhjeve të tyre me Shqipërinë. Nisur nga kjo situatë, jemi të vendosur për të nxitur institucionet shtetërore përgjegjëse, për të krijuar mekanizmat e nevojshme ligjore dhe administrative për t’u mundësuar bashkëatdhetarëve tanë jashtë vendit ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme legjislative dhe referendumet kombëtare.Ne besojmë se mënyra më e mirë për të finalizuar me sukses këtë nismë është krijimi I një koalicioni sa më të gjerë me shtetasit shqiptarë kudo që ata ndodhen, me shoqërinë civile, dhe me të gjithë aktoret e tjerë të jetës publike në vend.Për të gjitha këto arësye, me bindjen e thellë se Shqipëria ka ende nevojë të demokratizojë demokracinë, nënshkruaj këtë peticion duke shprehur vullnetin dhe mbështetjen e plotë për këtë nismë tejet të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Firmos Peticionin Listo Gjithe Firmetaret

Nessun commento: