domenica 4 maggio 2008

diskriminim i emigranteve shqiptare!

Para disa netëve Parlamenti shqiptar votoi ligjin e ri zgjedhor. Them "netëve" dhe jo "ditëve" për të përdorur shprehjen metaforike të errësirës për një veprim që u bë nxitimthi dhe në mungesë të transparencës politike, juridike e shoqërore ndaj gjithë faktorëve të interesuar; i padenjë për çdo ndërmarrje ligjvënëse. Por në këtë rast bëhet fjalë për një nga çështjet themelore të demokracisë, shtetit dhe shoqërisë shqiptare, siç është ajo e përfaqësimit politik të "sovranit popull" në organet më të larta drejtuese të tij.Veç kundërshtive të tjera që po has ky ligj në politikën shqiptare, kryesisht me shndërrimin e "tregut" të hapur politik të partive në oligopole të dy ose tre partive me anë të ndarjes territoriale të çifligjeve partiake dhe, nga na tjetër pa mohuar hapësirat që mund t'i japë përfaqësimit të kategorive të ndryshme të popullsisë, sidomos femrave dhe minoriteteve, pikërisht në këtë drejtim ai ka një mangësi themelore. Me këtë ligj praktikisht përjashtohet 1/3 e trupës zgjedhore të "sovranit popull" - masa mbi 1 milionëshe e emigrantëve shqiptarë. As edhe një fjalë për emigrantët, as edhe një përmendje indirekte për diasporën e madhe shqiptare. Braktisja e emigrantëveMbasi lexova dhe rilexova ligjin e ri të Parlamentit të Shqipërisë (është e tepërt t'i thuash Kuvend) m'u fanit një kujtim i hidhur i fillimviteve '90. Nga dritarja e trenit të linjës së natës Follorinë - Selanik, udhëtarët e strukur në ndenjëset e tyre shikonin me habi dhe keqardhje varganë të tërë emigrantësh shqiptarë, që ecnin në këmbë anës hekurudhës për të ardhur në brendësi të Greqisë. Ata nuk kishin pyetur për kufij para varfërisë së tyre pa kufi, por duke lënë gjithçka mbrapa shkonin drejt shpresës ashtu në këmbë kokulur anës shinave të kapnin trenin e historisë... Po kështu kishin ikur edhe nga atdheu i tyre shqiptarët nëpër detra; ku t'i nxirrte dallga të gjallë a të mbytur... Ata i kish braktisur politika tinzare dhe qorre e atdheut të tyre, duke i nxjerrë jashtë nga trupi si damarë që kullonin gjak e lot. Me kalimin e viteve, ata, ikanakët e djeshëm, u kthyen në engjëj shpëtimtarë të familjes shqiptare. Ato turmat e djeshme po vetorganizohen në shoqata, klube kulturore e shkencore, fizikisht apo nëpër rrjetet e komunikimit informatik, por shteti amë nuk i afron asgjë më shumë se nostalgjinë e dhimbjes. Në shtetin amë politika fshihet pas hipokrizisë së vet tradicionale, edhe pse shtetet bujtëse po ndërtojnë politika për zgjidhjen e problemeve të bashkëjetesës me emigrantët.Sepse shteti amë i konsideron emigrantët e tij vetëm si shifra statistikore; 15-20% të GDP vjetore të vendit prej emigrantëve, 1 milion turistë në vit (çfarë cinizmi shtetëror!), mijëra makina që hyjnë e dalin nëpër dogana, ambasada dhe konsullata që raportojnë vetëm për mijëra e miliona euro e dollarë nga dokumentet e emigrantëve (pa llogaritur ato që futen në xhepat e sekserëve). Ky është emigranti për shtetin, disa shifra fitimprurëse dhe asgjë më tepër. Ky qëndrim shpreh verbërinë para realiteteve të reja të globalizimit, padijen ndaj koncepteve moderne të shtetit-komb dhe dinamikës së diasporës me shumë identitet, mungesën e fantazisë politike apo mosdashjen tinzare për të mos u marrë me hapësirën e madhe gjeonjerëzore shqiptare. Roli historik i diasporësPasuria më madhe e kombit shqiptar është vetë njeriu shqiptar. Dëshmi e freskët e këtij vlerësimi është faktori shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni, i cili po ndryshon historikisht rolin gjeopolitik të shqiptarëve. Historikisht, kuadri ideologjik, kulturor dhe politik i shtetit të ardhshëm të shqiptarëve u formua nga diaspora shqiptare. Rrënjët ideologjike të ndërgjegjes kombëtare shqiptare fillojnë nga diaspora. Letërsia kombëtare në veçanti dhe kultura në pjesën më të madhe, janë ngjyer në melanin e diasporës. Diaspora shqiptare gjithashtu ishte promotori i lëvizjeve të mëdha politike deri te ngritja e flamurit dhe ndihmesa për ngritjen dhe mbrothësinë e shtetit shqiptar. Pa ndihmën e gjithanshme dhe angazhimin e diasporës kosovare, çështja e Kosovës ndoshta do të kishte mbetur në udhëkryq. Qoftë edhe për këto arsye, çdo shprehje e indiferencës politike ndaj diasporës është antihistorike.Qysh prej viteve '80 kam patur fatin e hidhur t'i njoh nga afër, në vatrat e shtegtimit të tyre, të tre kategoritë e ndryshme historike të diasporës shqiptare. Kam parë tretjen e kategorisë më të hershme - atë të arvanitasve, paralizimin e kategorisë së dytë - atë të diasporës së para Luftës së Dytë Botërore, dhe tani të gjithë jemi spektatorë dhe aktorë të fillimit të zvetënimit të kategorisë se tretë - atë të emigrantëve ekonomikë të pas viteve '90. Veç shkaqeve të tjera, shkaku kryesor i kësaj patologjie kombëtare dhe shoqërore është qëndrimi i politikës indiferente të shtetit shqiptar. (Ndoshta nuk është e rastësishme që rilindasit përmendin termin "mëmëdhe", duke i dhënë rëndësi "pushtetit" shpirtëror që lidhet me frymën e mëmës, dhe jo termin "atdhe" që i referohet më shumë pushtetit atëror).Pasojat antidemokratike dhe antikushtetuese të indiferencës politikePor jo vetëm kaq; indiferenca e sotme politike ndaj emigrantëve, si në ligjin e ri të zgjedhjeve, ashtu edhe në Kushtetutë, është i papranueshëm në disa rrafshe. Pas kalbjes së gardhit që na kish ndarë nga koha, shoqëria shqiptare ka dalë e paorientuar në një botë globale, e cila nga ana e saj gjendet vetë në procese të ndryshimeve rrënjësore. Sot, zhvillimi i çdo vendi dhe sidomos i një vendi të vogël si Shqipëria, realizohet vetëm me një optikë globale botërore, ku nuk mjafton vetëm pavarësia territoriale e shtetit - komb apo edhe e sovranitetit shtetëror, por rëndësi themelore dhe afatgjatë ka ngritja e një shoqërie mbi parime dhe vlera demokratike. Me fjalë të tjera, duhet bërë realitet kryeparimi themelor i Kushtetutës sonë, ku shprehet se "sovraniteti në RSH i përket popullit".Po a është sovran një popull, kur 1/3 e tij, mbi 1 milion shtetas të tij, praktikisht është përjashtuar nga e drejta kushtetuese për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur me pasojë mospërfaqësimin në Parlament dhe në organet e tjera politike vendimmarrëse apo ekzekutive për fatin e tij? Përse personelet e përfaqësive diplomatike shqiptare mund të votojnë në selitë e tyre, ndërsa emigrantëve shqiptarë të regjistruar në listat e zgjedhësve nuk u jepet kjo mundësi?! Pra, sovraniteti nuk i përket popullit si tërësi, i cili praktikisht trajtohet si turmë amorfe, pa mundësi të kryej procesin zgjedhor të përfaqësimit të tij politik, që është boshti funksional i sistemeve demokratike. Në ligjin e ri, me sovranitet të popullit në thelb dhe praktikisht nënkuptohet sovraniteti shtetëror bazuar në territorin e vendit dhe të atyre që e shkelin përditë atë, dhe nuk merret parasysh realiteti i ri i shpërndarjes së shtetasve shqiptarë nëpër botë. Kjo është miopi politike që zbulon mentalitete anakronike për vlerat dhe thelbin e demokracisë parlamentare. Vetë historia e shtetit shqiptar ka treguar se kur sovraniteti i popullit është cenuar apo paralizuar, sovraniteti shtetëror ka qenë i pamjaftueshëm për të përballuar kriza që kanë shpurë shoqërinë shqiptare drejt shkatërrimit total, ashtu si ndodhi në vitet 1939, në 1990 apo 1997. Po në këtë kuptim, mospërfaqësimi politik i emigrantëve është antikushtetues, sepse nuk realizon parimet themelore të vetë Kushtetutës. Dhe për më tepër, vetë Kushtetuta jonë, e një vendi pra që ka orientim politik, ekonomik e kulturor, futjen në familjen evropiane nuk e përmend fare faktorin emigrant, kur gjithë vendet e BE (në proces ligjvënës është edhe Greqia) përfshijnë në sistemin zgjedhor edhe diasporën e tyre të shpërndarë nëpër botë. Gjithashtu moskrijimi i kushteve të përfaqësimit politik të emigrantëve, përbën shkelje të të drejtave themelore dhe veçanërisht të të drejtave politike të njeriut. Në rrafshin social, përjashtimi nga e drejta e përfaqësimit politik, të së drejtës për të zgjedhur apo edhe për t'u zgjedhur shkakton pabarazi sociale, dhe më tej akoma, pabarazi ekonomike, duke dëmtuar kohezionin shoqëror kaq të dobët të shoqërisë shqiptare.E drejta politike dhe patriotizmi partiakTë vetmet lëvizje që kanë bërë dy a tre parti politike në drejtim të emigrantëve, janë krijimi i disa grupeve të tyre nën frymën e patriotizmit partiak dhe jo të frymës së përpunimit të ideve të reja politike. Eshtë mungesa e hapësirës ligjore-politike, që atrofizon zhvillimin dhe favorizon hermetizmin e këtyre grupeve në grupazhe pa asnjë rol dhe ndikim, si ndaj komuniteteve të emigrantëve, ashtu edhe ndaj vendasve ku ata jetojnë. Rrjedhojë logjike e kësaj politike - apolitike do të jetë kthimi i tyre në pengesë për vetë partitë që tani ngushëllohen me to, sepse në ndryshim me votuesin në Shqipëri, votuesi emigrant nuk bie lehtë "pre" e varësisë klientale me pushtetin politik. Kategoria e tretë historike e diasporës shqiptare - emigrantët e pasviteve '90, gjendet në fazën e diferencimit të saj embrional, e cila karakterizohet nga ndryshime të vazhdueshme deri në marrjen e formës dhe funksioneve të saj përfundimtare. Eshtë shansi i fundit ku mund të ndikosh mbi të e t'i japësh drejtimin e dëshiruar. Shqipëria ka nevojë jetësore për këtë pjesë të trupit të saj, për aortën e saj ekonomike, për dijen e saj shkencore, për idetë e saj nga bota e përparuar demokratike. Ata janë pjesë e saj dhe ashtu si zogjtë shtegtarë, për t'u kthyer nuk duan veçse klimën e përshtatshme, njohuritë dhe lëndën për të bërë foletë i gjejnë vet. Psikologët në botë nuk mund të shpjegojnë këtë forcë tërheqëse që ka mëmëdheu për njeriun, por sa do durojë akoma pa u tharë nga shkretëtira politike shqiptare lënda ngjitëse që i lidh emigrantët me mëmëdheun?! Këto argumente mjaftojnë që t'i biem edhe një herë kambanës së politikës shqiptare, për t'i kujtuar se përjashtimi politik i emigrantëve është me pasoja kombëtare sa për të tashmen, aq edhe për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Se me këto politika do vazhdojmë të ecim në këmbë si emigrantë të përjetshëm nëpër gjurmët e lëna nga treni i historisë së zhvillimit njerëzor..* Ish-Sekretar i Përgjithshëm i MKTRSluanzyka@yahoo.com

1 commento:

Anonimo ha detto...

Bukur, po duhet te gjendet menyra qe mesazhi te veje tek Topi, Topalli, Berisha, Rama, Meta, .... dhe gjithe Parlamenti, per ndryshe duket sikur rrahim uje ne hava, flasim dhe askush s'na degjon.

Pershendetje,
Drago
Texas, USA