sabato 26 gennaio 2013

REBELIM SHQIPTAR,BOTES MBARE!

LONDËR - Rrjeti Global i Rinisë Shqiptare, Rrjeti Global i Gruas Shqiptare dhe Diasporës Mbarëshqiptare, me qendër në Londër ka dërguar një letër indinjatë rreth situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Konkretisht letra i është dërguar qeverisë serbe, ambasadave shqiptare dhe britanike në Beograd; ambasadave shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri dhe asaj serbe në Londër, ambasadës serbe në Tiranë, ambasadës shqiptare në Shkup, “Friends of South Serbia”, qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Por edhe shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Letra ka si subjekt saktësisht: “Tensionet etnike dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”. Letër që në fund mban emrin e një përfaqësueseje të zgjedhur për të gjitha këto organizma, Lida Rragamit, presidentes së Rrjetit Global të Rinisë dhe Gruas Shqiptare. Në letër shkruhet si më poshtë: Duke konsideruar situatën aktuale dhe presionin nën të cilin janë Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ne, Rjeti Global i Gruas, Rinisë dhe Diasporës Mbarëshqiptare, ndiejmë përgjegjësinë dhe detyrimin tonë moral, kombëtar & njerëzor të shprehim shqetësimin tonë të papërmasa dhe të dënojmë veprimet e qeverisë dhe policisë serbe kundër shqiptarëve në këtë zonë. Disa nga arsyet që na detyruan të shkruajmë këtë letër, janë të listuara më poshtë: Ngjarjet e javëve të fundit: - Para pak javësh vandalizuat Flamurin Shqiptar në varrezat e të rënëve të UÇPMB-së. Kjo është shkelje flagrante e të drejtave më themelore humane dhe të bashkëjetesës multi-etnike. JU LUTEMI, lini të rënët tanë të prehen tashmë në paqe – keni bërë mjaft! - Deklaroni se keni caktuar datën 17 janar për të rrëzuar lapidarin përkujtimor të luftës së UÇPMB-së, vendosur në Preshevë. Shpresojmë që as të mos e tentoni një veprim të tillë – do t’i hidhni zjarrit benzinë. Shpresojmë të mos jetë ky qëllimi juaj! Për shumë e shumë vite : - Kemi anketuar dhe observuar, duke qenë të pranishëm fizikisht në Luginën e Preshevës, nivelin e abuzimit të drejtave njerëzore dhe kushtet dramatike ekonomike me të cilat shqiptarët po përballen në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë - tragjike! - Fëmijët shqiptarë janë të frikësuar në rrugët e vendit të tyre dhe ndjehen të kërcënuar nga prania e vazhdueshme dhe e panevojshme e kamionëve me ushtarë dhe patrullat e forcave speciale në rrugë. Kjo duhet të NDALOJË! Nuk kanë bërë asgjë të përjetojnë këtë. Po vuajnë pasi janë Shqiptarë në trojet e tyre Etnike!!! - Presheva, Bujanoci dhe Medvegja (njësoj siç ishtë Kosova, ndërkohë nën administrimin serb para pavarësisë) janë zonat më të varfra në rajon. Të drejtat e Shqiptarëve në këtë zonë janë shumë të abuzuara, çuditërisht të abuzuara nga një shtet që pretendon të ketë standarde të larta për t’u futur në familjen e bashkuar europiane, nga i cili kërkohet tolerancë, respekt për të tjerët dhe bashkëjetesë multi-etnike dhe mbi të gjitha mbrojtja e të Drejtave Njerëzore. E gjithë kjo nxjerr në pah pyetjen: A janë këto teknika, ndoshta, të projektuara me kujdes për të krijuar Spastrim Etnik të Shqiptarëve nga Trojet e tyre, njësoj si tentativat e viteve ’90 në Kosovë? Shpresojmë që jo! Kombi Shqiptar ka dhënë prova ndër shekuj, bile dhe në ditët më të errëta kombëtarë që nga 1913, kur tragjikisht u ‘copëtuam’ mes fqinjëve tanë, që jemi komb paqësor, energjik dhe tolerant. Sot kemi popullsinë më të re në Europë dhe synojmë të punojmë me të gjithë fqinjët tanë në rajon për paqe dhe prosperitet. Energjia, potenciali dhe mosha jonë e re nuk duhen parë si kërcënim nga fqinjët tanë, pa ashtu në të njëjtën mënyrë, parashikojmë që çdokush në rajon të sillet me standarde dhe pajtueshmëri me rregullat e bashkëjetesës multi-etnike. Që të ndërtojmë një Ballkan Perëndimor paqësor dhe prosperues për gjenerata e reja, si dhe të ndërtojmë fqinjësi të mirë bazuar në respekt të ndërsjelltë... Kërkojmë njerëzishëm: - Largimin e menjëhershëm të ushtrisë serbe nga rrugët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; - Largimin e menjëhershëm të forcave speciale policore në rrugët e këtij rajoni; - Ju bëjmë thirrje të MOS prekni Lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë dhe të MOS vandalizoni herë tjetër Flamurin tonë – është KRENARIA jonë Kombëtare; - Ju bëjmë thirrje të rrisni investimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që shqiptarët të mos detyrohen të lënë trojet e tyre nga kushtet e rënda ekonomike. Nëse bëni vetëm atë që po bën Qeveria e Kosovës me pakicat Etnike Serbe në Kosovë, do jetë fillim i mbarë për ju. Shqiptarët e Preshevës nuk janë vetëm Këto kërkesa janë supreme dhe kushte themelore për një rajon paqësor. Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen dhe zërin e Rrjetit Global Mbarëkombëtarë të Rinisë Shqiptare, Rrjetit Global Mbarëkombëtarë të Gruas Shqiptare dhe Diasporën Mbarëshqiptare. Kjo është shtesë e mbështetjes që japin Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Shpresojmë që t’i shikoni me seriozitet dhe t’i pranoni kërkesat tona, të mbështetura nga implementime të suksesshme të planeve tuaja konkrete për zgjidhje. Shpresojmë, gjithashtu, që së bashku të jemi në gjendje të sigurojmë dhe të sjellim paqe dhe prosperitet për të ardhmen e gjeneratave tona dhe tuajat në Ballkanin Perëndimor. Ky, hapi i parë Ju lutemi vini re, që ky është hapi ynë i parë për të ndërhyrë. Nëse nuk merren masa pozitive të menjëhershme nga ana juaj, hapi ynë i mëtejshëm do jetë Brukseli, organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të Drejtave Njerëzore dhe në qytete të tjera kryesore në botën e zhvilluar perëndimore. Sinqerisht, Lida Rragami Presidente e Rrjetit Global Mbarëkombëtarë të Rinisë dhe Gruas Shqiptare Në emër të: Rrjetit Global të Rinisë Shqiptare; Rrjetit Global të Gruas Shqiptare dhe Diasporës Mbarëshqiptare.

Nessun commento: