martedì 4 settembre 2012
NJU JORKU SHQIPTARET MBLEDH,PROFECI ENOLIT TE JETE?
A BEJME NJE KOMB SHQIPTARE?
KY ESHTE MISIONI YNE I PARE!
PERSHENDETJE SHQIPTARE NE EMER TE UNIKOMB
KUVENDIT PATRIOTIK KOMBETAR NE DIASPORE - USA.
(Nisur ne daten 01 shtator 2012. Botuar ne gazeten "Dielli")
Të nderuar bashkëkombas.
Në emër të UNIKOMB – Unionit Kombëtar Shqiptar me qendër në Tiranë, Ju përcjellim përshëndetjet tona të sinqerta, duke ju uruar suksese në këtë kuvend mbarshqiptar. Të bindur, se në këtë evendiment, do të ketë nje risi të re në zhvillimin tonë kombëtar, urimin e sinqertë po ua shprehim me qëndrimin tonë krah jush, duke shfaqur në mënyrë modeste disa qëndrime, për të cilat mendojmë se, do të jenë një ndihmesë korrekte në vendimarrjen tuaj.
Bashkimi bën fuqinë, por bashkimi sjell dhe mençurinë. Jemi kundër një mikrobote imagjinare midis nesh. Mendojmë për një kauzë të përbashkët. Të gjithë vuajmë nga e njëjta sëmundje, nga dashuria e madhe që kemi për Shqipërinë. Për këtë shkak, shpesh kemi humbur vigjilencën, përballë agresionit të filozofisë përçarëse të armiqve tanë. Sot po goditemi në ndarjen Veri - Jug. Ndodhemi përballë politikës, që po luan rëndë me interesat tona kombëtare, duke sjellë krizën e besimit në qendrat më të mëdha kombëtare. Në presion të hapur, në këtë kohë të vështirë, po godasin vlerat e identitetit kombëtar. Ndjejmë nevojën e bashkimit dhe mbështetjes fortë tek njeri tjetri, për të përballuar gjithçka që po rrezikon rrugën tonë.
Jemi vënë në në shërbim të çështjes drejt nxitjes së opinionit shqiptar, për ta kthyer veprimtarinë në interest ë edukimit patriotik, veçanerisht për brezin e rinisë. Pa pretenduasr se po bëjmë diçka të madhe, i përcjellim opinionit analizën mbi problemet e mprehta politike dhe të përspektivës, duke synuar strukturën organizative të qëndrueshme, pa bujë, me fizionomi të plotë kombëtare. Në momente delikate, ne gjykojmë të nevojshëm një “arëmpushim” në çështjen e “ideve dhe të rrugëve që duhët të ndjekim” në kauzën tonë të përbashkët, duke respektuar idetë e rilindasve mendjendritur dhe duke shpresuar shumë në vendimarrjen e këtij Kuvendi të nderuar, që mbahet nga ju në shtetin garant të demokracisë.
Ne gjykojmë se, unifikimi i qëndrimeve dhe synimi drejt një organizimi gjithshqiptar, do t’u mbyll rrugën “revolucionarëve”, të nxitur nga qarqe të dyshimta ultranacionaliste, brenda dhe jashtë trojeve etnike. Në këtë “armëpushim”, jemi të sigurtë se nuk do të këtë të humbur, por veç fitimtarë. Duke e kthyer kokën nga vetvetja, t’i rrijmë larg krahinizmit, klientelizmit dhe klaneve brenda tyre, fraksioneve, karrierizmit të sëmurë, autoritarizmit, diktatit, lojës së paprinciptë me ndjenjat kombëtare të shqiptarëve kudo. Ne nuk jemi parti politike. Si organizatë gjithkombëtare, respektojmë parimet e punës dhe jemi aktiv në këtë situatë të vështirë. Detyra jonë është e qartë: Të ruajmë unitetin dhe harmoninë mbi origjinën, gjuhën, simbolet kombëtare, historinë, respektin ndaj heronjve dhe deshmorëve të Kombit, të ruajmë traditën e lavdisë në Historinë e Popullit Shqiptar.
Të nderuar miq.
Situata në Shqipëri lundron në një klimë të tensionuar, e shfaqur në një luftë të paprinciptë politike, në raport me interesat kombëtare të popullit shqiptar. Ndodhemi përballë një politike kapitulluese, e cila për shkak të interesave klanore, në emër të demokracisë, reformave dhe dëshirës në rrugën e integrimit, po shkel çdo të drejtë, duke injoruar dhe rënduar përditë situatën social politike dhe ekonomike. Jemi bindur se, politika në Tiranë kontrollon dhe dikton në mënyrë të padrejtë politikën shqiptare kudo, duke dhënë shëmbullin e saj të keq, krahasuar me situatën në Republikën e Shqipërisë.
Në Kosovë opinioni po provokohet rëndë nga strukturat ndërkombëtare, të cilat me qëndrimet e tyre e kanë kthyer atë në “protektorat”. Çështja e pavarësisë së Kosovës ka marrë fund. Në këtë pikpamje i përmbahemi qëndrimit, që Qeveria dhe tërë institucionet e Kosovës t’i dalin për zot interesave të popullsisë shqiptare në shtetin e ri. Të mos biem në kurthin e diplomacisë ndërkombëtare mbi çështjen e Kosovës Veriore, duke lënë në harresë popullsinë shqiptare në Luginën e Preshevës. Në këtë skenar politik të kontrolluar, në gjykojmë se në perspektivë do të ketë ngjarje të reja, të cilat nuk do të lejojmë të na tërheqin zvarrë, por do t’u paraprijmë me zgjarësi dhe vendosmëri politike.
Ne gjykojmë se në Maqedoni ka një situatë të tensionuar në prag të një krize politike me pasoja për shqiptarët. Politika shqiptare është e papërgatitur, e përçarë, e pozicionuar keq, duke mbajtur në këmbë një pushtet kriminal me natyrë fashiste, kundër interesave të popullsisë shqiptare në këtë hapësirë. Situata është në kufijtë shpërthyes në shtetin artificial, që sot rezulton “e sëmura” politike e Ballkanit. Ne gjykojmë se në këtë kohë duhet të kërkojmë evidencimin e saktë demografik, një politikë të unifikuar shqiptare, kërkesat për legjislacion demokratik kundër diskriminimit etnik dhe social politik. Ne disponojmë të gjitha mjetet, njerëzit dhe kapacitetet intelektuale për të ndikuar dhe ndihmuar në këtë process, kundër shitjes së interesave kombëtare. Dora e shtrirë e bashkëpunimit midis shqiptarëve është sot thelbi i suksesit të filozofisë politike në Shkup.
Jemi kundër pozitës diskriminuese të shqiptarëve në Malin e Zi, edhe pse politikanët e republikës së vogël lëvdohen mbi “të drejtat” e shqiptarët në këtë vend. Privilegjet politike kurrë nuk përfaqësojnë të drejtat për popullsinë e gjerë. Ne kërkojmë arsimim në gjuhën shqipe, lëvizje e lirë në çdo plan, një pushtet lokal vetqeverisës, kundër organizimit elektoral diskriminues, goditës, duke ulur vlerat reale të faktorit shqiptar në këtë vend. Në këtë hapësirë shqiptare mungojnë investimet. Është përgjegjësia e politikës zyrtare të Tiranës, për një përkujdesje të merituar për këtë popullsi, gati të harruar. Një ditë në këtë vend nuk do të ketë më shqiptarë, pasi ata po i drejtohen rrugës së emigrimit.
Ne ndjekim me kujdes zhvillimet në Çështjen Çame, me ndjeshmëri të lartë në marrëdhëniet ndërshtetërore me Greqinë. Çamëria, kjo plagë e hapur në historinë tonë, kërkon vëmendje. Popullsia çerekmilionëshe çame në Republikën e Shqipërisë, edhe pse e organizuar, nuk ka arritur të garantojë njohjen shtetërore, juridike dhe politike të institucioneve shqiptare, për shkak të kompromiseve në tjetersimin e saj prej drejtuesve të institucioneve përfaqësuese çame. Kjo njohje është hallka e parë e zinxhirit, për futjen e këtij problemi në objektivin e politikës dhe diplomacisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.
Diaspora e vjetër dhe e re ka shumë kapacitete intelektuale dhe potenciale të pashfrytëzuara. Në elitën e saj nuk tërhiqemi nga emra të veçantë, por sipas aftësive, angazhimeve dhe kontributeve reale në interes të situatës në trojet etnike. Mbetemi në qëndrimin tonë tepër kritik ndaj politikës zyrtare në Tiranë, e cila ka lënë në kufijtë e injorimit potencialet e mëdha të pazëvëndësueshme kombëtare të Dasporës, duke dëmtuar rëndë unitetin tonë kombëtar.
Unioni Kombëtar Shqiptar, si bashkim vlerash dhe njerëzish mbi baza vullnetare, pa dallim feje, krahine, ideje dhe bindjesh politike, është vënë në shërbim të integrimit shpirtëror, kulturor, në mbrojtje të vlerave të gjuhës shqipe, mbështetur në mendimin filozofik kombëtar dhe reflektimin shkencor mbi historinë e kombit, drejt integrimit dhe bashkimin fizik të trojeve etnike nën një shtet të vetëm me emrin Shqipëri.
Ne respektojmë në rrugë demokratike, krijimin e hapësirave të plota për ecurinë drejt Ribashkimit Kombëtar, duke shpallur interesimin tonë për çdo shqiptar kudo në botë, për integrimin me vendlindjen, duke synuar ndërtimin e raporteve të drejta të shqiptarëve kudo në trojet etnike dhe në Diasporë. Ne respektojmë institucionet shtetërore dhe kërkojmë forma dhe mënyra, që ato të vihen në mbrojtje të interesave kombëtare. Strategjia dhe taktikat e veprimit do të jenë reflektimi mbi analizën shkencore të pasqyrimit të kontradiktave kryesore brenda zhvillimeve të lëvizjes kombëtare dhe dimensionit real të veprimit të tyre në hapësirën kombëtare.
Ne gjykojmë se, çështja kombëtare ka nevojë për angazhimin tërësor të kualiteteve intelektuale të spikatur, të njerëzve të thjeshtë që gëzojnë respektin e popullit për urtësinë dhe freskinë e mendimit të tyre. Me demokraci të brendëshme funksionale, larg diktatit dhe autoritarizmit, në strategjinë tonë të afërt dhe të largët, i përmbahemi rrugës pa kompromis në dëm të interesave kombëtare, bashkërendues me institucionet kushtetuese shqiptare, me faktorin ndërkombëtar dhe forcat e tjera te interesuara për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan.
Të nderuar miq dhe dashamirës.
Duke mos pretenduar të themi gjithçka në një përshndetje, për të ruajtur vlerat emocionale dhe shpirtërore të saj, jemi të vetëdijshëm se na prêt një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë. Ajo që mund të bëjmë dhe që duhet të bëjmë, është angazhimi ynë i përbashkët, për të organizuar dhe nxitur protestat qytetare kudo në trojet shqiptare, brenda një hapësire organizative me përgjegjësi të lartë, për ta kthyer këtë lëvizje në faktor të rëndësishëm politik. Metodologjia drejt këtij qëndrimi unik, do të mbetet aftësia jonë e përbashkët parimore organizative, institucionale, drejt një organizimi atdhetar gjithshqiptar, i aftë të adoptojë në kushtet e zhvillimeve gjeopolitike, qëndrimet më të pranueshme, si produkt i respektimit të vlerave dhe mundësive të mëdha që kemi në këtë rrugë e vështirë, por jo të pamundëshme, të zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare.
Duke ju uruar suksese, jemi me ju dhe pranë jush.
Faleminderit.
Në emër të Unionit Kombëtar Shqiptar
Dr. Sulejman ABAZI (NESHAJ)
Koordinator i Përgjithshëm
Tiranë, 01 shtator 2012.
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento