sabato 14 maggio 2011
Ismail Kadare “Mbi krimin në Ballkan” Botoi: “Onufri”
Ismail Kadare: Po punohet të na ndajnë nga Europa
Shkrimtari i madh vjen me tona të ashpra për shqiptarët dhe heshtjen ndaj dramës së Kosovës. Në librin e ri, hedhur në treg nga “Onufri” vetëm dy ditë më parë, Kadare flet për rimohues shqiptarë, për klane brenda llojit që ndihmojnë deshqiptarizimin, për rikthimin zellshëm të projektit për ndarjen e dy shteteve shqiptare nga Europa, flet për akuzat e Carla del Ponte-s dhe Dick Marty-t dhe nevojën që populli shqiptar të mos përfshihet nga paniku por të lejojë hetimin e krimeve nëse ka të tilla
Ismail Kadare i rikthehet dramës së Kosovës, bashkë me të edhe dramës së popullit shqiptar. “Mbi krimin në Ballkan; letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri” prej dy ditësh gjendet në treg. Në fakt vetë autori e quan një libërth. Një hyrje e shkruar gjatë muajve të këtij viti mes Parisit dhe Tiranës, shpalos edhe qëllimin e shkrimit të këtij libri. Është pikërisht heshtja ndaj dramës së Kosovës dhe krimeve serbe të ndodhura atje, që në rrjedhë të historisë përbëjnë krimin më të freskët në Ballkan. Shkrimtari shqetësohet për një tjetër krim që ndihmon të parin, heshtjen e shqiptare. Kjo hyrje është një thirrje dhe njëkohësisht një akuzë për të vetët. “Dymbëdhjetë vite pas çlirimit të Kosovës, një “omerta” e palejueshme ka lënë nën perden e mjegullës krimet e lemerishme serbe. Kanë heshtur për to pikërisht ata që e kishin për detyrë ta ngrinin zërin deri në kupë të qiellit: kronistë, akademikë, historianë, politikanë e publicistë nga të dyja anët e kufirit. Opinioni publik europian dhe ai botëror, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionë për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare. Ajo dëshmi vononte dhe kjo ishte me të vërtetë dramatike. Nuk ishte thjesht një vonesë, ishte më shumë se kaq”, shkruan Kadare në faqet e para të librit. Në faqet që pasojnë ai i mëshon veçanërisht krimit të madh të serbëve, atë të përdhunimit të mijëra grave, vrasjes së tyre dhe të foshnjave. E quan të pafalshme heshtjen ndaj tmerrit më të madh të Kosovës, që do të ndiqej nga një tjetër tmerr: atë të mosdëshmimit. Kadare i lidh pashmangshmërisht me këtë fakt akuzat e fundit të bëra ndaj shqiptarëve, fillimisht nga Carla del Ponte e pastaj edhe nga Dick Marty. I rikthehet tezës së librit “Mosmarrëveshje”, botuar vetëm pak muaj më parë, ku sipas shkrimtarit e keqja e shqiptarëve u vjen nga vetja. Kadare flet sërish për klane, për rimohues, për një Shqipëri e këtë radhë edhe Kosovë të shitur. “Ndërkaq të tjera pasione po shfaqeshin në Kosovën e porsadalë në dritë. Ndër to, ishin tri etje të pashpallura ndonjëherë kaq babëzisht: etja për pushtet, ajo për para dhe, e fundit, por jo më e pakta, etja për lavdi. Shqipëria fqinje, ndonëse shtet gati shekullor, dhe me arsye të ngjashme për t’iu ngazëllyer lirisë, nuk arriti t’i rrezatojë diçka më të mirë shtetit të ri shqiptar, ngaqë vetë vuante nga e njëjta lëngatë”, shkruan Kadare. Ky libërth, siç e quan autori, vazhdon me pjesën e letrave drejtuar personaliteteve botërore për dramën e Kosovës. Ato kapin një periudhë çerekshekullore: 1987–2011. Botohet për herë të parë letra e shumëkomentuar që shkrimtari serb Vuk Drashkoviç i drejton Kadaresë më 18 qershor 1987, letër që shkrimtari i ka dërguar Papa Gjon Palit II më 15 shtator 1991, letra e dytë që Kadare i shkruan Presidentit francez Jacques Chirac më 12 dhjetor 2001 dhe përgjigjja që ministri i Punëve të Jashtme franceze Herve De Charette i kthen shkrimtarit më 21 maj 1997. Pjesë e këtij libri është edhe një shkrim që Ismail Kadare ka botuar në “Koha ditore” dhe “Courrier International”, shkurt 1999 nën titullin “Kapardisja shqiptare; një portret në grup i politikanëve shqiptarë”. Një shpjegim të letrave, por edhe një opinion mbi ngjarjet e rëndësishme të ndodhura së fundmi në botën shqiptare, shkrimtari e bën përmes një interviste të gazetarit Aleksandër Çipa, pjesë të së cilës i kemi shkëputur për t’i botuar në gazetën “Shqip”.
Duke botuar një dosier të tillë për krimet në Ballkan, a mund të na thoni diçka më tepër për lexuesit tanë? Ka ndonjë arsye zgjedhja e kohës së publikimit? Së fundi, a është e plotë dosja?
Ka vite që ka qenë e nevojshme një dosje si kjo. Madje, është disi vonë. Në Shqipëri është krijuar një zakon i keq: sapo shtrohet një çështje që duket sikur s’ka lidhje të drejtpërdrejtë me interesat politike të ditës, nisin shkrofëtimat: ohu, ne kemi të tjera probleme, ky na ngre të tjera! Problemi i krimit vazhdon të jetë në thelbin e historisë së Ballkanit, në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Ndaj mendimin e mësipërm, për kohën ose pakohën e dosjes, do ta quaja një dëshmim të ri të mendjelehtësisë shqiptare për të mos përdorur një fjalë më të ashpër. Lidhur me qëllimin e botimit, përgjigjja është e prerë: pajtimi në Ballkan. E ky pajtim, nuk mund të bëhet pa pajtimin shqiptaro-serb. Ka njerëz që mendojnë se dosje të tilla të rënda, është më mirë që, në emër të paqes, të mbyllen. Unë e nderoj paqen si një gjë të shenjtë, por pikërisht, ngaqë kam këtë nderim, mendoj ndryshe. Është e njohur thënia se popujt duhet të dinë çka të kujtojnë, e të dinë çka të harrojnë. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur çështjet sqarohen. Për fat të keq, siç u tha, po ndodh e kundërta. Ndër problemet që paraprijnë paqen, është ai i krimit. Bota, ashtu siç njeh krime të mëdha, ashtu njeh edhe pajtime të mëdha. Por këto të fundit kërkojnë shpesh burrëri më të madhe se lufta. Unë besoj në mundësinë e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo nuk është as deklarim diplomatik, e as një aspiratë humaniste. Jam shkrimtar dhe, përveç ndërgjegjes sime, s’kam as tagër e as detyrim tjetër. Jo vetëm besoj në pajtim, por e quaj atë të domosdoshëm. Është mision i detyrueshëm i dy kombeve. Europa, SHBA-ja dhe një pjesë e botës i besuan deri më sot të vërtetës së njohur dhe e ndëshkuan Serbinë. Kjo e fundit, mendon ndryshe. Është punë e saj. Në qoftë se sot mendohet se, pala shqiptare, gjithashtu ka bërë krime, le të hetohet.
Pra le të hetohen krimet e gjithkujt dhe të vihen në peshore. Të gjendet përpjesëtimi midis tyre, siç thuhet. Në fund të fundit, thelbin e drejtësisë në planetin tonë e përbën pikërisht përpjesëtimi. E shqiptarët s’kanë pse të kenë asnjë grimë droje në këtë rast. Lidhur me pyetjen se a është e plotë dosja që po botohet, do të thosha jo. E tillë do të jetë, ndoshta, në një botim të veçantë.
Vuk Drashkoviç gati çerekshekulli më parë ju është drejtuar, si koleg. Vite më vonë, ai do të bëhej ministër i Jashtëm i Serbisë. A mund të na flisni për dialogun mes jush, nëse ka pasur vërtet dialog?
Më 1987-n, kur është shkruar kjo letër, nuk më kujtohet t’i jem përgjigjur. Ajo është botuar së pari në shtypin serb. Madje, nuk më kujtohet ta kem ditur. Ju mund të thoni se mjafton kjo arsye, por unë po vazhdoj: edhe po ta kisha marrë letrën, nuk besoj se do t’i përgjigjesha. Shqipëria ishte vend komunist dhe s’i njihte zakone të tilla si “letërkëmbim kolegësh” etj. Veç kësaj, kontrolli i përgjigjeve, në raste të tilla, ta hiqte çdo dëshirë të merreshe me to. Pas vitit 1990, kur e lashë Shqipërinë, Drashkoviçi, me të drejtë, sipas mendjes së vet, ka kujtuar ndoshta se tani që isha i lirë, mund ta kryenim dialogun e munguar. Dhe e botoi letrën në shtypin francez, truallin asnjanës për dialogun apo më saktë dyluftimin tonë shkrimtaror (po të më lejohej një fjalë e tillë). Ç’është e vërteta, letra e tij nuk ishte në nivelin që e kërkonte pesha e problemit. Çështja e Kosovës meritonte një tjetër rang e një tjetër stil, shumë më serioz. Nuk do të desha ta fyej Vuk Drashkoviçin, tani që ai ndodhet në rënie e në hije, por nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht letrën e tij. Të vinte keq që, një shkrimtar i talentuar si ai, kishte rënë në psikozën nacionaliste, pikërisht, në atë për të cilën më qortonte mua “si kolegu kolegut”.
Kam kërkuar pra, një rang jo vetëm më të lartë, por edhe më dobiprurës për Kosovën e për gjithë Ballkanin, çka dokumentohet në letrat që po botoni ju, si dhe në shumë intervista e shkrime në gazetat më të mëdha të kohës.
Në fund të letrës, Drashkoviç ju kritikon për romanin “Krushqit janë të ngrirë”. Pse?
Pyetja juaj ka lidhje me thelbin e këtij dosieri: plojën në Ballkan. Po të lexohet me kujdes letra e Drashkoviçit, në të flitet gjerësisht për krime në Kosovë. Është viti 1987. Është mbyllur dosja e përgjakshme e Bosnjës dhe Serbia po përgatitet për masakrën e radhës. Letra e Drashkoviçit e tradhton pa dashur këtë projekt. Gjithçka që do të bëhet, ai e paraqet si një histori të kryer ndërkaq. Veç jo prej serbëve, por prej shqiptarëve. Mirëpo kujtimi i masakrës së pranverës së vitit 1981 është bezdisës për projektin e ri. Masakra e Prishtinës ka qenë prologu i tragjedisë së re në Ballkan. Si një proverb i ri qarkullonte shprehja: në Kosovë nisi, në Kosovë do të mbarojë.
Libri “Krushqit janë të ngrirë” flet pikërisht për ngjarjet e 1981. Ndaj ai ka qenë tepër i bezdisshëm për serbët. U shkrua fill pas ngjarjeve, në vitin 1982, dhe u botua një vit më pas. I përkthyer në anglisht e frëngjisht e, më pas në shumë gjuhë të tjera, ai libër ishte dëshmia e parë dhe e vetme, në një trajtë artistike, e një masakre të papërfytyrueshme mu në mes të Europës. Ishte hera e parë që bota, nëpërmjet një vepre të tërë, vihej në dijeni për krimin jugosllav, shtetit të përkëdhelur prej të gjithëve si model i liberalizmit. Në këtë kah unë e kuptoj sulmin e Drashkoviçit. Ajo që s’kam kuptuar kurrë është sulmi, që më është bërë nga disa bashkëkombës të mi, letrarë të Kosovës. Në krye të këtij sulmi të palodhshëm kanë qenë S. Hamiti dhe R. Qosja. Dhe nuk ka ndodhur rastësisht, në ndonjë stinë nervozizmi, por në mënyrë të vijueshme, gjatë 20 vitesh, e ndoshta më tepër. I kam përmendur tepër rrallë këto sulme, duke i cilësuar të pabesa e të pamoralshme, sepse nuk kam ditur ç’emër tjetër t’iu vë. Ti mbron Kosovën, me libra, me letra, artikuj, intervista, ti shkruan mbi 1000 faqe për të, që botohen në dhjetëra gjuhë, e këta akademikë vazhdojnë sulmin kundër teje, kjo është për të vënë duart në kokë, siç thuhet. Madje i pari, Hamiti, është përqendruar pikërisht te “Krushqit janë të ngrirë”, duke e quajtur, njëlloj si Drashkoviçi, libër pa vlerë. Interpretimi im i kësaj fushate, që nuk mund të nderonte askënd, e sidomos dy akademikë të Kosovës, është i qartë: mos besoni asgjë nga ato që thotë shkrimtari I.K. Ai është stalinist, ai është i pabesueshëm. Do të isha kurioz të dëgjoja shpjegimin e palës tjetër.
Çështja Dick Marty: si e vlerësoni reagimin e Kosovës dhe të Shqipërisë?
Kjo lidhet me pyetjen tuaj të parë, çështjen e krimit. Në Shqipëri, e sidomos në Kosovë, është dashur që të mos mbyllej goja e të qëndrohej duarkryq, në kohën që Serbia, fare haptas, e nisi kundërfushatën e saj për të përmbysur të vërtetën. Për këtë mbyllje goje, nuk mund të lajë duart nga faji klasa politike në Shqipëri e, sidomos, në Kosovë. E bashkë me ta, historianët, akademikët, publicistët, bashkë me institucionet ku punojnë. Asnjë vend nuk e lë veten të kapet në befasi, siç u kapëm ne, në këtë rast. Nuk është rasti, në caqet e kësaj interviste, të analizohen rrethanat dhe shkaqet e plota për këtë. Mund të thuhet vetëm se bjerrja morale e etja për pushtet, vazhdojnë të thithin energjinë kryesore shqiptare, kështu që s’mbetet as vëmendje, as energji për të tjerat. E këtu s’duhen harruar rimohuesit shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të mbrojnë çdo bashkësi tjetër nga dhunimi shqiptar (puna ka arritur deri atje saqë edhe otomanët, sipas tyre, kanë qenë shpesh viktimat tona), por veç një popull s’duan ta mbrojnë kurrë, atë të vetin. Çështja Dick Marty nuk kishte pse të krijonte panik në të dyja shtetet shqiptare. Për fat të keq, ndodhi ashtu, sepse skandali u lidh me bezdinë që mund t’i krijonte njërit apo tjetrit krah politik. Do të duhej të pritej gjithçka me gjakftohtësi. Të hapej menjëherë rruga për hetime, madje të falënderonim ato organizma ndërkombëtare, që do të na zbulonin kriminelët e fshehur mes nesh. Krimi nuk ka atdhe. Kriminelët shqiptarë të çdo lloji, përpara se të jenë armiq arketipalë të njerëzimit, janë armiqtë numër një të kombit shqiptar. Ky do të ishte i vetmi arsyetim dhe e vetmja qasje e çështjes. Përrallat e tjera se shqiptari e bën këtë gjë, ose nuk e bën këtë gjë, janë veç sofizma të mjera. Shqiptari mund të bëjë çdo gjë të mirë në këtë botë, po aq sa ç’mund të bëjë çdo gjë të keqe në të njëjtën botë. A kishte ngjyra racizmi, në mënyrën e bujshme, jokorrekte, siç u shpall skandali? Natyrisht që kishte. U ngjante rrëfenjave me vampirë e me vrasje rituale, tepër të përshtatshme për psikoza raciste, siç kishin bërë racistët gjermanë kundër hebrenjve, në prag të Holokaustit.
Në një shkrim të shkëlqyer, të botuar kohëve të fundit në gazetën “Le Monde”, publicisti shqiptar, S. Kryemadhi, me banim në Belgjikë, ka trajtuar ndër të tjera, pikërisht këtë ngjashmëri. Është disi i habitshëm përkimi i akuzës së njëjtë për trafikim organesh, që në vitin 2009 iu bë Izraelit, shtetit patologjik, sipas antisemitëve. Por Izraeli, i cili ka përvojë të gjatë kundër shpifjeve të tilla, diti të mbrohet. Një shembull që do të ishte mirë ta ndiqte Shqipëria, e cila gjithashtu ka histori të gjatë si gjah i sulmuar, por tepër rrallë si një luan që kundërsulmon.
Ndërkohë që Beogradi ngre në mediume botërore sajime për krimet e UÇK-së, a e kanë bërë detyrën e tyre kolegët tuaj të Kosovës, si akademikë apo shkrimtarë për dënimin e krimeve monstruoze në Kosovë, si përdhunimet e grave e vajzave kosovare, vrasjet e fëmijëve?
Ka kohë që racizmi antishqiptar ka zënë vend në Europë, jo veç në lajme çoroditëse, por në libra, filma e në rrëfenja urbane të pafundme. Sigurisht që një pjesë e fajit bie mbi vetë shqiptarët. E keqja jonë është shpërfillja jonë ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, por tepër dëmtuese. Rimohuesit, që i përmenda pak më parë, jo vetëm i duartrokasin këto akuza, por çdo përpjekje për mbrojtje e quajnë “kombëtarizëm” të dëmshëm, madje “racizëm”! Vite më parë, një stuhi racizmi kundër shqiptarëve e shkaktoi filmi “L’Amerika” i Xh. Amelios. Opinioni shqiptar u nda më dysh. Shumica u dëshpëruan prej filmit, por të tjerët u ngazëllyen prej tij, aq sa njeri prej rimohuesve nuk e mbajti dot klithmën në shtyp: “Faleminderit, Amelio”. Nuk do të rikthehem te racizmi i pështirë i këtij filmi. Dua të kujtoj vetëm se në kohën kur doli dhe u paraqit në Festivalin e Venedikut, kryetari i jurisë së festivalit, shkrimtari i madh Vargas Llosa (nobelisti i fundit), në formë ultimative, me kërcënimin se do të jepte dorëheqje, kërkoi përjashtimin e filmit nga konkurrimi për shkak të racizmit antishqiptar. Vargas Llosën e ndan nga vendi ynë oqeani Atlantik, s’ka pasur asnjë lidhje me Shqipërinë e s’ka qenë kurrë në këtë vend, megjithatë ndërgjegjja e tij nuk e pranonte dot atë shëmti. Pikërisht atë shëmti që rimohuesit tanë i bëri të shkriheshin nga kënaqësia. Që të kthehemi te Dick Marty. Edhe sikur të kishte diçka të vërtetë në akuzat e tij, madje edhe sikur të kishte ndodhur vërtet që disa kriminelë psikopatë shqiptarë ta kishin kryer atë tmerr, kishte arsye të dëshpëroheshim, por jo të binim në panik. Ne kishim dosjet tona ngjethëse, të cilat për turpin tonë nuk i kemi bërë të ditura. Do të mjaftonte shifra prej 800 foshnjash shqiptare nën pesë vjeç të therur si derrat, një pjesë në sytë e prindërve, që bota të kuptonte se në cilën anë ishte e drejta. Këtë fakt nuk e ka dhënë ndonjë politikan, analist a filozof shqiptar, por gazetari serb Miroslav Filipoviç. E ka shpallur në shtypin anglez dhe francez në vitin 2000 dhe ka bërë burg për këtë. Ndoshta gabohem, por emrin e këtij gazetari hero nuk e kam ndeshur në shtypin shqiptar. Në qoftë kështu, merret me mend shkaku: ky gazetar e ka vënë në skajim të vështirë ndërgjegjen tonë. Dhe, s’është vetëm kjo. Është dosja e të zhdukurve. Është dosja tjetër e rreth 20.000 grave e vajzave të përdhunuara, shpesh herë në sytë e familjarëve, sipas humanistes shqiptare nga Kosova, Veprore Shehu, e cila disa javë përpara ankohej gjithashtu për heshtjen e turpshme. Ne s’kishim përse të hutoheshim as nga Carla del Ponte, as nga Dick Marty. Mjaftonte që në peshoren e drejtësisë të viheshin foshnjat e vrara dhe gratë e përdhunuara, që anën tjetër të peshores të mos e trondiste dot asgjë. Por ne s’e kemi bërë këtë, sepse, qofshin politikanë apo akademikë, e kemi mendjen, për turpin tonë të pafund, kundër njëri-tjetrit.
Për ta mbyllur këtë përgjigje jo të gëzueshme, do të thosha se Shqipëria dhe Kosova sot, jo vetëm që pa asnjë lëkundje duhet të lejojnë hetimet, por duhet t’i nxitin ato, edhe sikur akuzuesit, dinakërisht e pa zhurmë, të tërhiqen prej tyre. E keqja është bërë ndërkaq dhe përgënjeshtrimi duhet të kryhet. Të dy shtetet shqiptare duhet të kërkojnë me ngulm të vërtetën. Madje, edhe po të jetë se krime të tilla makabre a të ngjashme me to kanë ndodhur vërtet, kombi shqiptar s’ka pse të ligështohet. Duke dorëzuar kriminelët, ai do të ndihet më mirë. Është emancipimi i brendshëm. Është lehtësimi që jep nxjerrja e së keqes. Në fund të fundit, shprehja aq e vjetër dhe aq e njohur shqiptare për ikjen, për “marrjen e së keqes”, prej këndej duhet ta ketë zanafillën.
Tek ne ka kohë që ka një keqkuptim për çështjen e kombit. Kalohet nga një skajshmëri tek tjetra.
Jo vetëm tek ne. Ndodh kudo, veçse tek ne, si zakonisht, gjithçka dramatizohet më fort. Më lejoni që kundër zakonit tim, të sjell këtu një citim nga teksti monumental “Ç’është kombi?” i Ernest Renan-it, një nga autorët më të besueshëm për një nga çështjet më të ndërlikuara të kohës. “Kombet nuk janë diçka e përjetshme. Ato e kanë një fillim e do të kenë një mbarim. Konfederata europiane ka gjasë t’i zëvendësojë. Por kjo s’është në rendin e ditës. Sot qenia e kombeve është një gjë e mirë, madje e domosdoshme. Ekzistenca e tyre është një garanci e lirisë, e cila do të humbte nëse bota do të kishte vetëm një ligj e vetëm një padron”. Duke ndjekur mllefin e pafund, të shoqëruar nga një injorancë e pafundme e një klani rimohuesish shqiptarë kundër kombit, vetvetiu bëhet pyetja: nga vjen gjithë ky duf? Asnjë vend europian nuk e ka shtruar në këtë mënyrë një çështje të tillë. Mos vallë ne shqiptarët, pasi u bëmë gaz i botës me atë kinse misionin grotesk të mbrojtjes së marksizëm-leninizmit të braktisur prej botës, tani na ka marrë malli për ndonjë mision edhe më tragjikomik: të ngutemi të parët që t’i mësojnë botës: o sa mirë është të mos kesh komb! Natyrisht, më shumë se për të qeshur, është për të qarë. Është e tepërt të bëhet pyetja, se mos vallë është ideja e kombit që na pengon të jemi më të pasur, më të ndershëm, më të pakorruptuar? Gjithkush e kupton se është e kundërta, sidomos për korrupsionin, mallkimin tonë të përditshëm. Ndjesia për kombin mund të quhet e paarsyeshme, siç u tha, donkishoteske, por ka diçka për të cilën nuk mund të fajësohet kurrë: thelbi i saj është i painteres. Kurse thelbi i korrupsionit është i kundërt: me interes. Kjo kushtëzon mospajtimin e tyre jetë e mot.
Në shkrimet që i kanë bërë jehonë “Mosmarrëveshjes”, është përmendur çështja e një doktrine shqiptare. A kemi ne një të tillë, dhe ç’mendoni për të?
Çdo komb priret të krijojë një doktrinë të vetën. Zakonisht zanafilla e natyrshme e saj është mbijetesa. Por shumë shpejt qëllon që përçudnohet. Në rastin shqiptar, lidhja e lirisë me kombin, në atë kah që shpjegon Renan, është tepër e rrokshme. Shqipëria i përjetoi tragjikisht në të njëjtën kohë: humbjen e lirisë dhe muzgun që ra mbi kombin. Në fillim të shekullit XX iu kthyen të dyja; liria, e plotë, kombi i dëmtuar rëndë. Në kushte të tilla e, sidomos në kushtet e ekzistencës në Ballkan të dy kombëtarizmave të skajshme: atij grek e atij serb, t’i propozosh shqiptarëve një acarim, një velje ndaj kombit të vet, do të ishte, siç u tha, më tepër se cinike. Për të gjykuar më saktë një doktrinë është e nevojshme antidoktrina (nëse ekziston) e saj. Me plot gojën, mund të thuhet: nuk ka një doktrinë shqiptare kundër dy popujve të Ballkanit: serbeve dhe grekëve. Nëse do të kishte një të tillë, do të ishte në turpin tonë, po të mos e dënonim atë. Ta shkulnim prerazi, pa dredhi, pa kthim. Do të duhej ta bënim këtë jo për t’u dukur, për reklamë a për të qenë të pëlqyeshëm ndaj Europës, por sepse një doktrinë antiserbe ose antigreke do të ishte në thelbin e saj antishqiptare. Për moralin tonë historik, natyrisht, për ndërgjegjen tonë, por në radhë të parë, për interesat tona. A ka një doktrinë antishqiptare te fqinjët e përmendur më lart? Për fat të keq po, sidomos te serbët. Ajo s’është fantazi, është e shkruar, e formuluar qartë, e botuar, dhe kryesorja, e padënuar. Është doktrina ‘Çubriloviç’, versioni i fundit i një sërë programesh të ngjashme, e titulluar nga vetë autori “Dëbimi i shqiptarëve”. E ngjizur gati në të njëjtën kohë me projektin nazist për hebrenjtë dhe, për nga thelbi jo larg atij. Ky draft famëkeq, i rënë tani në koma, pret orën e saj. Bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë më 1999, por jo doktrinën. Historia e tregoi se doktrina ‘Çubriloviç’, e shpallur shtatëdhjetë vjet më parë nga një akademik gjysmë zyrtar, duke qenë antishqiptare, ka qenë në thelbin e saj antiserbe. Thelbi i saj, siç e tregon titulli i draftit: “Dëbimi i arnautëve”, trajton problemin fatal, sipas tij, të Serbisë: Serbia s’mund të ketë jetë normale pa dëbimin e shqiptarëve me të gjitha mënyrat dhe me çdo mjet: me ushtri, me kërcënim, me reformë agrare, me terror, me polici, me qen. Të gjitha këto përmenden një për një në këtë draft. Për të kuptuar diçka më shumë nga tragjedia e Ballkanit, Këshilli i Europës do të ishte mirë ta përkthente këtë draft të zi në 27 gjuhët e BE-së.
Pas leximit të kësaj doktrine, s’besoj se do të gjenden ende trushkulur, nga ata që iu pëlqen të besojnë se duhet marrë me të mirë Serbia, që të heqë dorë prej Kosovës. Me fjalë të tjera t’i thuhet Serbisë: “na fal që ta shkëputëm nga kthetrat këtë popull që po ia merrje frymën me kaq zell e në mënyrë kaq të studiuar”.
Doktrinës së padënuar i është bërë një rishikim. Nuk shtrohet më çështja si më parë; dëbim, shpërngulje, spastrim etnik, por të gjitha këto zëvendësohen nga një fjalë, që tingëllon tepër joshëse për shovinistët ballkanas: deshqiptarizim.
Është përdorur shprehja “Trekëndëshi i Bermudës”, midis të cilit mund të humbë orientimin e të mbytet anija shqiptare.
Është folur për deshqiptarizimin, kryesisht nëpërmjet turqizimit apo greqizimit. Është fjala për tre vendet: Serbinë, Turqinë, Greqinë. Është shpallur, por duhet të jetë e stërshpallur për jetë e mot, se me këto vende interesat e kërkojnë që Shqipëria të jetë në paqe dhe vetëm në paqe. Me të vetmin kusht: që ato gjithashtu të jenë në paqe me të. Mendimi historik, doktrina shqiptare, nëse do ta quanim kështu, nuk njeh asnjë synim, asnjë program për dëmtimin e asnjërit prej këtyre vendeve. Për fat të keq, nga ana e tyre ka ndodhur dhe ndodh e kundërta. Herë veçmas, e herë në bashkëpunim të tërthortë, këto tre vende kanë marrë pjesë në një program të vijueshëm antishqiptar: pushtim, shpërngulje, terror, shuarje të identitetit kombëtar, ndalim i gjuhës, për të ardhur gjer te versioni i fundit, ai që i përmbledh të gjitha: deshqiptarizimi i zonës shqiptare në Ballkan. Komisionet e shumta europiane, ato që me shumë të drejtë, po mbikëqyrin mbrojtjen e pakicave në rrezik, qoftë etnike, fetare a kulturore, me një shpërfillje të habitshme, ndjekin këtë deshqiptarizim. Ai jo vetëm nuk i shqetëson, por ka gjasë t’iu duket një proces pozitiv në fundajën e shkuljes së nacionalizimit të keq në Ballkan. Kjo mbrapshti nuk mund të ndodhte pa ndihmën e rimohuesve shqiptarë. Herë nën maskën e çmitizimit, herë në atë të luftës kundër shqiptarocentrizmit, këta rimohues, më të egrit e Europës, po bëjnë çmos të dobësojnë sistemin imunitar, atë pa të cilin asnjë komb s’mund të qëndrojë gjatë në këmbë. Në këtë klimë çoroditëse, në shtypin e Tiranës e të Prishtinës shfaqen aty-këtu projekte të errëta, si ato që nisin zakonisht me hamendjen: “në rast se Europa ose SHBA na braktisin, ku do të shkojë Shqipëria”? Fill pas hamendjes së errët, është e gatshme dhe krejt befasuese zgjedhja. Duam s’duam, nga e keqja (vërtet nga e keqja apo ashtu i pëlqen dikujt?), s’na mbetet veç orientimi neootoman! Shkurt, në rast se Europa dhe SHBA na braktisin, e paskemi një zgjidhje! Sado që mund të tingëllojë grotesk, ky propozim është përsëritur pak kohë më parë në një gazetë të Tiranës. Madje, janë përmendur edhe shtetet e “unionit të ardhshëm turk”, si Azerbajxhani, Turkmenistani e të tjerë, midis të cilëve Shqipëria bashkë me Kosovën, pasi t’i thonë lamtumirë Europës do të strehohen e do të gjejnë, më në fund, rehat… Siç shihet, projekti i vjetër i ndarjes nga Europa nuk po i shqitet Shqipërisë. Dikush punon për të, madje me shumë zell. Të dy shtetet shqiptarë, me sa duket, janë të verbër ndaj shenjave të tilla. Ndërkaq, projektuesit nuk rrinë duarkryq: çdo ditë shkojnë më larg, çdo ditë presin kohën antieuropiane.
Ora antieuropiane do të ishte fundi i Shqipërisë. Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë nuk mund të bëjnë sikur nuk e shohin ç’ndodh. Ata nuk mund të mos shqetësohen kur shohin shenjat e para, ndonëse të ndrojtura të antiamerikanizmit.
Shqipëria me dy shtetet e saj, në vend që sot të ndihej më e fortë se kurrë, ndihet e dobët. Morali i saj historik ka pësuar rënie, busulla e saj është dëmtuar.
Ismail Kadare
“Mbi krimin në Ballkan”
Botoi: “Onufri”
Çmimi: 500 lekë
Agim Gashi
Administrator
Numri i postimeve: 19371
Age: 56
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008
SHIHINI,LEXOJINI ,SHPERNDAJINI SHQIPTARECE-SENSIBILIZIM SHQIPTARE! ne se keni komente shkruani,do i vem ne foto pas seleksionimit! nje komb,nje shtet ,nje indentitet
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento