mercoledì 25 maggio 2011

BALLKAN-KOSOVE-KADARE


"mbi krimin ne ballkan"-Kadare,liber
libri më i ri i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare i është kushtuar dramës së Kosovës dhe heshtjes shqiptare për krimet e bëra ndaj shqiptarëve. I titulluar “Mbi krimin në Ballkan; letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri”, libri sjell në vëmendje shumë çështje të rëndësishme të botës shqiptare

Flitet gjithmonë e më shpesh për harmoninë fetare dhe për Nënë Terezën, që ju e përmendni në sprovën tuaj. A mund të na thoni diçka më tepër?

Kjo është diçka që e kapërcen personazhin e shquar. Dihet se harmonia e feve s’është as mburrje e kotë e as luks. Eshtë shumë më tepër. Sipas një ideje të vjetër, të mbrapshtë: sa më shumë të dobësohet një popull, aq më shumë përfitojnë të tjerët, që kanë probleme me të. Eshtë krejt e kundërta: popujt e shëndetshëm rrezatojnë shëndet, të sëmurët, sëmundje. Që të mos them gjëra të përsëritura, po e shtroj çështjen fare thjesht: Nuk e di a e keni dëgjuar, për shembull, se ka raste kur autori i këtyre radhëve akuzohet si një nga prishësit e harmonisë fetare? Natyrisht, s’kam ndër mend të nis të bërtas, për t’ju mbushur mendjen se s’është ashtu. Po ju them thjesht se nuk jam prishës harmonije fetare. Kam shprehur gjithmonë mendimin se Shqipëria do të hyjë në Europë me dinjitet, me të tre besimet e saj: katolik, mysliman, ortodoks. Kam përsëritur mendimin se shqiptarët me besim mysliman, janë po aq europianë sa edhe të krishterët. Se ata janë ndër shembujt e myslimanizmit më të përparuar e më njerëzor në shkallë botërore dhe për këtë, duhet të jenë krenarë, ata vetë dhe gjithë shqiptarët bashkë me ta. Për të mos e zgjatur, po ju kujtoj se ju po botoni letrat e mia dërguar katër presidentëve europianë e amerikanë, të katër të krishterë, dhe s’keni askund në to, më të voglin aluzion për respekt të munguar ndaj asnjë feje. Fondamentalistët nuk e pëlqejnë këtë gjë, sepse ata nuk e duan harmoninë. Ata gjenden në të tre besimet dhe në stil e në gjithçka të ngjajshëm. Që të mos iu shkojë mendja se po i përmend tre fondamentalizmat, për të mbajtur një qëndrim drejtpeshues, siç e kërkon etika, po shtoj se, ndër ata që sulmojnë sot autorin e këtyre radhëve, më i egri, më i palodhuri është një katolik qesharak dhe i dyshimtë, me një emër gjasme gjerman e gjasme italian (le të themi, njëfarë italo palo gjermanini). Nuk do ta përmendja këtë kotni, sikur të mos lidhej me një dukuri të sotme. Ky njeri hiqet si katolik i zjarrtë dhe flamurmbajtës, kundër fondamentalizmit islamik. Ndërkaq, urrejtja e tij numër një, mllefi që nuk shterron kurrë, është, për çudi, kundër shkrimtarit I.K. E quan fatkeqësi të kombit, armik të katolicizmit, të Shkodrës, të veriut, të verilindjes etj.,etj., pikërisht kur fondamentalistët e krahut tjetër e shpallin ithtar të katolicizmit, armik të myslimanizmit të Shqipërisë mesme, të Azerbaxhanit etj., etj. Me të drejtë ju mund të thoni: ç’merresh me një të lajthitur. E keqja është se këta të lajthitur po shtohen shumë në Shqipëri. E keqja është se marrëzia përparon çdo ditë dhe mëton të zejë vendin e normalitetit. Shqipëria sot është kthyer në vendin më të çoroditur të Europës. Eshtë si një zonë psiko-sizmike që nuk gjen qetësi. Trysni e përhershme, provokacione zinxhir, stres që nuk sos. Përherë e më shpesh bëhet pyetja: është një rastësi kjo që po ndodh apo një projekt i qëllimshëm? Ka njerëz që besojnë këtë të dytën. Në një klimë të tillë Shqipëria, rrezikon të humbasë orientimin europian, të humbasë aleatët, gjithçka.

Ka mendime aty këtu, se glorifikimi i Nënë Terezës në Shqipëri, në mënyrë të tërthortë, mund të prekë parimin e laicitetit.

Kurrsesi. Nervozizmi ndaj saj është krejtësisht i papërligjur. Një njollë për të gjithë. Përpara se një imam t’ia caktonte vendin e saj në ferr, përpara se një ministër kulture, vetëm disa minuta pas emërimit, (le ta quajmë “gjashtë minutshi”) të hiqte në mënyrë të bujshme portretin e saj, rimohuesit shqiptarë s’lanë gjë pa thënë, për humanisten e madhe. Vallë rimohuesit, e pas tyre imami dhe ministri, nuk e kuptojnë kaq gjë, se sot, në kulmin e racizmit antishqiptar, kur ky komb paraqitet përpara botës si një tribu që pjell veç gangsterë, vrasës, trafikantë prostitutash e organesh, befas vjen një sinjal në shkallë planetare, për t’i kujtuar njerëzimit se ky popull, nderon dhe zgjedh për model, jo vrasësit e trafikantët, por të kundërtën e këtij universi? Nëse është fjala për shkelje të parimit të laicitetit, me fjalë të tjera, që nëpërmjet humanistes i bëhet një theksim favorizues katolicizmit shqiptar, mendoj se kjo nuk është e vërtetë. E para, sepse në aureolën planetare të Nënë Terezës, zotëron dukshëm humanizmi. E dyta, sepse po të ishte për theksim fetar, anëtarësimi në Lidhjen Islamike do të ishte më bindës si shembull. Eshtë vendi të thuhet këtu se katolikët shqiptarë, të shquar për modesti, sidomos në Kosovë, si pakicë fetare që janë, kanë nevojë për kujdesin tonë. Do të doja të isha i gabuar, por mendoj se bashkësia europiane, e cila me të drejtë e sheh Kosovën si model të respektit ndaj pakicave, mund të kishte treguar më shumë vëmendje, kur vëmendja ka qenë e nevojshme ndaj katolikëve, si në rastin e krijimit të qeverisë së fundit, në përbërjen e së cilës nuk ishte asnjë shqiptar i këtij besimi. Jam kundër çdo trajtimi të bujshëm të çështjeve të tilla, por pikërisht për këtë do të doja që qetësisht të vija në dukje problemin, në mënyrë që qetësisht të shkonte drejt zgjidhjes. Në fund të fundit, është detyrë morale për ne që s’jemi të të njëjtit besim me katolikët, që, sipas traditës së fisme shqiptare, të tregojmë kujdes për ta. Në të vërtetë, incidenti për të cilin u fol, nuk duhet të kishte ndodhur. Ai problem duhej të quhej i kapërcyer prej kohësh, qysh prej Rilindjes sonë, qysh prej formulës së Pashko Vasës. Kombformimi shqiptar nuk ka qenë kushtëzuar prej besimit fetar. Eshtë thënë kaq herë e dihet tashmë gjithkund, se shqiptarët njihen dhe ndihen shqiptarë, përpara se t’i përkasin njërit prej besimeve fetare, ashtu si gjermanët që nuk deklarohen si gjermanë katolikë ose protestanë, por thjesht si gjermanë. E po ashtu, francezët ose anglezët.

Në shkrimet që i kanë bërë jehonë “Mosmarrëveshjes”, është përmendur çështja e një doktrine shqiptare. A kemi ne një të tillë, dhe ç’mendoni për të?

Çdo komb priret të krijojë një doktrinë të vetën. Zakonisht zanafilla e natyrshme e saj është mbijetesa. Por shumë shpejt qëllon që përçudnohet. Në rastin shqiptar, lidhja e lirisë me kombin, në atë kah që shpjegon Renan, është tepër e rrokshme. Shqipëria i përjetoi tragjikisht në të njejtën kohë: humbjen e lirisë dhe muzgun që ra mbi kombin. Në fillim të shekullit XX iu kthyen të dyja, liria, e plotë, kombi i dëmtuar rëndë. Në kushte të tilla e, sidomos, në kushtet e ekzistencës në Ballkan të dy kombëtarizmave të skajshme: atij grek e atij serb, t’i propozosh shqiptarëve një acarim, një velje ndaj kombit të vet, do të ishte, siç u tha, më tepër se cinike. Për të gjykuar më saktë një doktrinë është e nevojshme antidoktrina (nëse ekziston) e saj. Me plot gojën, mund të thuhet: nuk ka një doktrinë shqiptare kundër dy popujve të Ballkanit: serbeve dhe grekëve. Nëse do të kishte një të tillë, do të ishte në turpin tonë, po të mos e dënonim atë. Ta shkulnim prerazi, pa dredhi, pa kthim. Do të duhej ta bënim këtë jo për t’u dukur, për reklamë a për të qenë të pëlqyeshëm ndaj Europës, por sepse një doktrinë antiserbe ose antigreke, do të ishte në thelbin e saj antishqiptare. Për moralin tonë historik, natyrisht, për ndërgjegjen tonë, por, në radhë të parë, për interesat tona. A ka një doktrinë antishqiptare te fqinjët e përmendur më lart? Për fat të keq po, sidomos te serbët. Ajo s’është fantazi, është e shkruar, e formuluar qartë, e botuar, dhe kryesorja, e padënuar. Eshtë doktrina Çubriloviç, versioni i fundit i një serë programesh të ngjashme, e titulluar nga vetë autori “Dëbimi i shqiptarëve”. E ngjizur gati në të njëjtën kohë me projektin nazist për hebrenjtë dhe, për nga thelbi, jo larg atij. Ky draft famëkeq, i rënë tani në koma, pret orën e saj. Bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë më 1999, por jo doktrinën. Historia e tregoi se doktrina Çubriloviç, e shpallur shtatëdhjetë vjet më parë, nga një akademik gjysmë zyrtar, duke qenë antishqiptare, ka qenë në thelbin e saj antiserbe. Thelbi i saj, siç e tregon titulli i draftit: “Dëbimi i arnautëve”, trajton problemin fatal, sipas tij, të Serbisë: Serbia s’mund të ketë jetë normale, pa dëbimin e shqiptarëve, me të gjitha mënyrat dhe me çdo mjet: me ushtri, me kërcënim, me reformë agrare, me terror, me polici, me qen. Të gjitha këto, përmenden një për një në këtë draft. Për të kuptuar diçka më shumë nga tragjedia e Ballkanit, Këshilli i Europës do të ishte mirë ta përkthente këtë draft të zi, në 27 gjuhët e BE-së.

Pas leximit të kësaj doktrine, s’besoj se do të gjenden ende trushkulur, nga ata që iu pëlqen të besojnë se duhet marrë me të mirë Serbia, që të heqë dorë prej Kosovës. Me fjalë të tjera, t’i thuhet Serbisë “na fal që ta shkëputëm nga kthetrat këtë popull që po ia merrje frymën me kaq zell e në mënyrë kaq të studjuar”.

Doktrinës së padënuar i është bërë një rishikim. Nuk shtrohet më çështja si më parë, dëbim, shpërngulje, spastrim etnik, por të gjitha këto zëvendësohen nga një fjalë, që tingëllon tepër joshëse për shovinistët ballkanas: deshqiptarizim.

Eshtë përdorur shprehja “trekëndëshi i Bermudës”, midis të cilit mund të humbë orientimin e të mbytet anija shqiptare.

Eshtë folur për deshqiptarizimin, kryesisht nëpërmjet turqizimit apo greqizimit. Eshtë fjala për tre vendet: Serbinë, Turqinë, Greqinë. Eshtë shpallur, por duhet të jetë e stërshpallur për jetë e mot, se me këto vende interesat e kërkojnë që Shqipëria të jetë në paqe dhe vetëm në paqe. Me të vetmin kusht: që ato gjithashtu të jenë në paqe me të. Mendimi historik, doktrina shqiptare, nëse do ta quanim kështu, nuk njeh asnjë synim, asnjë program për dëmtimin e asnjerit prej këtyre vendeve. Për fat të keq, nga ana e tyre ka ndodhur dhe ndodh e kundërta. Herë veçmas, e herë në bashkëpunim të tërthortë, këto tre vende kanë marrë pjesë në një program të vijueshëm antishqiptar: pushtim, shpërngulje, terror, shuarje të identitetit kombëtar, ndalim i gjuhës, për të ardhur gjer te versioni i fundit, ai që i përmbledh të gjitha: deshqiptarizimi i zonës shqiptare në Ballkan. Komisionet e shumta europiane, ato që me shumë të drejtë, po mbikëqyrin mbrojtjen e pakicave në rrezik, qoftë etnike, fetare a kulturore, me një shpërfillje të habitshme, ndjekin këtë deshqiptarizim. Ai jo vetëm nuk i shqetëson, por ka gjasë t’iu duket një proces pozitiv në fundajën e shkuljes së nacionalizimit të keq në Ballkan. Kjo mbrapshti, nuk mund të ndodhte pa ndihmën e rimohuesve shqiptarë. Herë nën maskën e çmitizimit, herë në atë të luftës kundër shqiptarocentrizmit, këta rimohues, më të egrit e Europës, po bëjnë çmos të dobësojnë sistemin imunitar, atë pa të cilin asnjë komb s’mund të qëndrojë gjatë në këmbë. Në këtë klimë çoroditëse, në shtypin e Tiranës e të Prishtinës shfaqen aty-këtu projekte të errëta, si ato që nisin zakonisht me hamendjen “në rast se Europa ose SHBA na braktisin, ku do të shkojë Shqipëria”? Fill pas hamendjes se errët, është e gatshme dhe krejt befasuese zgjedhja. Duam s’duam, nga e keqja (vërtet nga e keqja apo ashtu i pëlqen dikujt?), s’na mbetet veç orientimi neootoman! Shkurt, në rast se Europa dhe SHBA na braktisin, e paskemi një zgjidhje! Sado që mund të tingëllojë grotesk, ky propozim është përsëritur pak kohë më parë, në një gazetë të Tiranës. Madje janë përmendur edhe shtetet e “unionit të ardhshëm turk”, si Azerbajxhani, Turkmenistani, e të tjerë, midis të cilëve Shqipëria bashkë me Kosovën, pasi t’i thonë lamtumirë Europës do të strehohen e do të gjejnë, më në fund, rehat… Siç shihet, projekti i vjetër i ndarjes nga Europa nuk po i shqitet Shqipërisë. Dikush punon për të, madje me shumë zell. Të dy shtetet shqiptarë, me sa duket, janë të verbër ndaj shenjave të tilla. Ndërkaq projektuesit nuk rrijnë duarkryq: çdo ditë shkojnë më larg, çdo ditë presin kohën antieuropiane. Ora antieuropiane do të ishte fundi i Shqipërisë. Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk mund të bëjnë sikur nuk e shohin ç’ndodh. Ata nuk mund të mos shqetësohen, kur shohin shenjat e para, ndonëse të drojtura, të antiamerikanizmit.

Shqipëria me dy shtetet e saj, në vend që sot të ndihej më e fortë se kurrë, ndihet e dobët. Morali i saj historik ka pësuar rënie, busulla e saj është dëmtuar.

Eshtë folur, madje botuesi juaj e ka konfirmuar, se do të ketë një botim të ri të “Mosmarrëveshjes”, me disa plotësime dhe rishikime. E parashikoni një gjë të tillë ?

Besoj se po. Ka libra që, për vetë natyrën e tyre, krijojnë përshtypjen se mbeten të pambyllur. Kjo, pa qenë ndonjë meritë kushedi çfarë, aq më pak mund të merret si mungesë. Në epilogun e librit do të doja të gjeja më shumë arsye për të shpresuar. Jo për një shpresë të rreme, e cila përveç çasteve të krizës, nuk i shërben askujt, por për atë lloj shprese, të cilën jemi të detyruar ta gjejmë e ta nxjerrim prej andej ku, ndoshta, është mbuluar, si nën gërmadhat e një lëkundjeje sizmike, siç u tha, dhe pret ndërhyrjen tonë shpëtuese. Do të doja të besoja më shumë në të ardhmen europiane të ballkanasve, e cila, duan apo s’duan ata vetë, do të jetë pak a shumë e njëkohshme. Kjo është një sagë e re, në thelb heroike, por me kostum civil, i cili ende iu shkon keq banorëve të gadishullit. Kjo nuk është një kureshti antropologjike. Të prodhosh doktrina hakmarrëse në Ballkan është shumë lehtë. Vështirë është të heqësh dorë nga kjo heroikë e rreme. Ky është ndryshimi midis dy palëve. Këtu është përparësia e palës që spraps sagën e rreme, dhe kompleksimi i tjetrës, që e përkëdhel atë. Rrjedhimisht, këtu është çelësi i gjithçkaje, duke përfshirë edhe pajtimin e famshëm shqiptaro-serb. Me largimin e dy vendeve që përbëjnë pjesën krysore të vijës dalmatine, parashikimi se fryma e europiane do të pakësohet, ngjan i logikshëm. Në kushte të tilla, fryma zbutëse shqiptare, si e ka parandjerë qysh në vitet ’30, E. Çabej, ka gjasë të jetë një faktor edhe më i ndjeshëm në gadishull. Leximi i gabuar i gjendjes së sotme psikopolitike në gadishull, vënia e shenjës së barazimit, atje ku barazi as ka e as mund të ketë kurrë, marrja e barbarisë për forcë dhe e emancipimit për dobësi, mund të ketë rrjedhoja fatale, sidomos në një gjendje postkrimi, në një mjedis që të kujton një ballo me maska, siç është sot Ballkani Perëndimor.

Paris - Tiranë, 2011

Intervista e plotë me shkrimtarin Ismail Kadare, shkëputur nga libri i ri “Mbi krimin në Ballkan; letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri”

Nessun commento: