Eja në Tiranë të të shohim Zoti Rehn!
Alban TARTARI
Populli im do t’u shikojë Zoti Rehn. Do t’u dëgjojë. Kërkon shpjegime. Ashtu hallexhi siç është, aty ku është në dyert e ambasadave. Ka edhe ai të drejtën e tij, në mos për një vizë të qelbur e cila kthehet në punë e në shkollim e në kurim e në shuarje malli për fëmijë e prindër...pra në mos për këtë të flamosur vizë, të paktën për një shpjegim. Kërrkënd nuk e ka marrë malli për ju Zoti Rehn. As dyert e qeverisë, as shkallët e ministrisë së jashtme e as xhamat e selisë së partisë më të madhe të opozitës. As mua që ju kam pasur dikur 1.5 metra larg në zyrën e zv/ambasadorit të Komisionit Evropian në Tiranë për t’ju intervistuar për Televizionin Publik. Vetëm një rrugë në Laprakë e ndan shtëpinë time nga ajo ambasadë Zoti Rehn, por mua, bijën time dhe 4.2 milionë prindërit e fëmijët e tjerë, ajo rrugë është e pakapërcyeshme!Është e pakapërcyeshme për mua, që nuk i kam bërë askujt asgjë. Por është e kapërcyeshme për Mlladiçin dhe shokët e tij që bënë një Bosnje të tërë të vjellë gjak, e çuan në botën tjetër për një javë 8000 boshnjakë fatkeqë.Është e pakapërcyeshme për mua Zoti Rehn, por është e kapërcyeshme për Boshkovskin me shokë që trajtuan si qentë shqiptarët etnikë në FYROM te cilët kërkonin të drejtat minimale në tokën e tyre, në shtëpinë e tyre, me fëmijët dhe gratë e tyre! Ju ja dhatë atë të drejtë një shteti ende pa emër zoti Rehn. Atë rrugë për në Evropë e keni kthyer në një mur Zoti Rehn, jo mur vjetërak berlinez, në një mur te ri getoje. Nuk dihet pse, nuk dihet si, nuk dihet çfarë...por duket e qartë, dy popujt më të vuajtur në Ballkan, shqiptarë (të Shqipërisë e Kosovës) e boshnjakë duhet të vazhdojnë të vuajnë akoma.Nuk di nëse kolegët e mi të nderuar në ambasadë do e përkthejnë këtë shkrim. Nuk di edhe nëse do jua dërgojnë në Bruksel. Nuk di edhe nëse ju do ta lexoni. Por edhe po e lexuat e di që do buzëqeshni e do thoni që këtë letër duhet t’jua kisha shkruar politikanëve të vendit tim.Ata kanë pjesën e tyre Zoti Rehn. Ata kanë damkën e tyre në këtë proces që po i lë qytetarët shqiptarë në dyer ambasadash. Dhe ja faturojnë njeri tjetrit! Kjo është e dhimbshme Zoti Rehn, se të gjithë janë fajtorë sepse nuk arritën që një vend kaq të vogël në 18 vjet ta bëjnë me një regjistër qytetarësh për të qenë e me dokumente më të sigurta. Nuk kanë dashur, sepse dublifikimet e treplifikimet e emrave u kanë interesuar....Këtë e dimë Zoti Rehn, këtë klasë politike kemi. Nga hëna nuk na vjen dot njeri të na qeverisë. Nuk kemi Fratini, Barroso, Solana...as Rehn...nuk kemi! Edhe këta që kemi thuajse i kemi bojkotuar! Por kjo nuk do të thotë që edhe ju të bojkotoni një shtet e një komb të tërë. Nuk do të thotë t’i trajtoni shqiptarët si kafshë dhe serbët si zotërinj. Kjo nuk është e drejtë. Madje djalli na vjen e na fryn në vesh e thotë se ju, promovuesit e bashkëjetesës e tolerancës e ku di unë se çfarë, e keni si damkë në ballë standardin e dyfishtë. Në po e ndjejmë në kurriz e nuk na vjen mirë Zoti Rehn. Dikur kështu mendonim edhe kur Rumania e Bullgaria, dy shtete të prapambetura ballkanase aderonin në BE para Turqisë që ishte shumë, shumë herë më para se ato dhe është ende shumë para tyre nga ana ekonomike, zhvillimi etj. Por ndoshta edhe dikush në këto vende duhet të deklarojë si Zoti Erdogan që nuk është hera e parë që ja vendos kufirin të thana Brukselit. Nuk po ju kërcënoj Zoti Rehn. Shqiptarët janë luftëtarë por ata nuk kanë sulmuar askënd në histori. Nuk kemi kërcënuar askënd. Ndaj na kanë ndarë në 6 shtete si një kadavër mbi të cilën bënë eksperimente. Ndaj jepni fund eksperimentit tuaj dhe lërini shqiptarët, ata të Shqipërisë dhe Kosovës, lërini boshnjakët e shkretë të udhëtojnë si njerëz të lirë. Këta të fundit ta kuptojnë se Mlladiçi nuk vlen më shumë se ata...kosovarët ta kuptojnë se Arkanërit nuk vlejnë më shumë se ata...në të Shqipërisë ta kuptojmë se politika jonë e dështuar, nuk vlen më shumë se ne, se një popull i tërë. Ndaj, ngrije traun Zoti Rehn dhe eja në Tiranën se ne nuk vijmë dot atje! 2009-07-24
lunedì 27 luglio 2009
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento