Autorja shqiptare prezanton në Torino romanin e parë "E kuqe si një nuse". Shqipëria në një shekull e dhënë me 3 brezat e femrave të një familjeje në Labëri
Anilda Ibrahimi prezanton në Torino "Rosso come una sposa". Më 2 prill autorja shqiptare është e pranishme në orën 19.30, në bibliotekën "Italo Calvino" të qytetit. Në kuadër të projektit "Via Egnatia.
Passaggio a Est.", shoqata kulturore italo-shqiptare "Vatra" organizon takimin për këtë roman i botuar nga shtëpia prestigjioze vendase "Einaudi" (2008) dhe i përshëndetur nga shtypi italian.
Anilda Ibrahimi është në këtë moment një nga tre penat e autoreve shqiptare me origjinë, por me përvojë jetësore në vendin fqinjë.
Elvira Dones, fillimisht, Ornela Vorpsi më pas dhe tani Ibrahimi shkruajnë në gjuhën italiane për Shqipërinë, duke qenë larg saj. Nga Dones kujtojmë romanin e fundit "Vergini guirate", nga Vorpsi romanin e saj të parë "Il paese dove non si muore mai" dhe Ibrahimi me prozën e saj të parë të gjatë "Rosso come una sposa".
37-vjeçarja përshkon në 264 faqe roman një shekull histori të një familjeje në një fshat të Labërisë, dhe nëpërmjet saj kalimi nëpër Shqipëri, është i natyrshëm.
Për botuesin "Einaudi" kjo është Shqipëria e fillimshekullit të kaluar, një vend i mistershëm, magjik e kaotik, një vend ku kundërshtitë bashkëjetojnë prej kohësh: krishtërimi e islami, zakone të periudhës bizantine me ato të periudhës osmane.
Dhe është, mbi të gjitha, një shoqëri e theksuar matriarkale ku pushteti që merret me t'u bërë vjehërr është aq i madh, saqë gratë e kalojnë jetën duke pritur me hare që të plaken.
Melihaja është bijë e kësaj bote, një grua e fortë, e zonja të ndjekë me të njëjtin përkushtim të gjallët e të vdekurit e kësaj bote: është ajo zemra e derës së Buronjajve, në krye të kësaj historie. Por bosht i vërtetë i familjes dhe i romanit do të bëhet shpejt vajza e saj Saba.
Pa mbushur ende të pesëmbëdhjetat, Sabën e martojnë me pahir me Omerin, burrë i pjekur që ajo nuk e do, i mbetur i ve nga e motra e Sabës, dhe i lidhur me Buronjajt me një borxh gjaku.
Por të tjera peripeci e presin Sabën e cila duke u rritur do t'i kapërcejë me një energji dëshpëruese: fëmijët e shumtë që do të pjellë, lufta, shfarosja e vëllezërve, deri te kalimi te komunizmi e përtej.
Nëpërmjet vorbullës pa fund të ngjarjeve që sillen rreth Sabës dhe botës së saj, nga rrëkejtë e vegjël e të pafund të jetës te kthesat epokale të historisë që hyjnë në përditshmërinë më intime të personazheve e bëhen ngjarje, romani i Ibrahimit ngjitet në tone epike e të merr me vete faqe për faqe.
Nuk është bërë akoma një vit nga botimi i romanit i cili është pritur shumë mirë edhe lexuesit. Ja çfarë shkruan një lexuese: "Duke mos qenë eksperte, dhe as kritike letrare, zakonisht e gjykoj një libër nga sa do të ndikojë tek unë, nëse do të më bëjë të mendoj historia dhe personazhet e tij në ditët e ardhshme. Kësaj radhe shkova edhe më tej: libri ka ndryshuar mënyrën time të të parit të Shqipërisë.
Gjeta mjaft ngjashmëri me Italinë, shumë zakone dhe rituale që i kam dëgjuar të rrëfyera nga gjyshe dhe stërgjyshe, shumë histori për familje me gra zonja. Ky libër, përveçse është shkruar mjaft mirë, i afron popujt tanë."
Anilda Ibrahimi ka lindur në Vlorë më 1972. Studioi letërsi në Fakultetin Histori Filologji në Universitetin e Tiranës dhe më 1993 u largua nga Shqipëria, fillimisht në Zvicër dhe pastaj në Itali, në Romë ku jeton me familjen.
Gjatë prezantimit të së enjtes do të lexohen pjesë nga "E kuqe si nuse", nën shoqërimin e muzikës së Haydnit, Mozartit dhe Prenk Jakovës, të ekzekutuara nga kuarteti "Eklips", i përbërë nga muzikantë të rinj profesionistë shqiptarë dhe italianë (Leonard Simaku dhe Elton Tola - violinë; Eriola Gripshi, violë; Matilda Colliard, violinçel).
Benko Gjata, përfaqësuesi i "Vatrës" e themeluar në Torino më 2002, thotë se projekti në fjalë parashikon edhe krijimin e seksioneve me libra në gjuhën shqipe në të katërmbëdhjetë bibliotekat e qytetit të Torinos.
Sipas tij, "rreth 110 tituj të autorëve më të mirë të letërsisë dhe publicistikës klasike shqipe si Naim Frasheri, Fan Noli, Gjergj Fishta, Faik Konica, Migjeni, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, etj, por edhe të autorëve bashkëkohorë si Kadare, Agolli, Kongoli, Zhiti, Spanjolli, Dones, Hatibi e Ahmeti do të jenë të pranishëm në raftet dhe sallat e leximit të bibliotekave të Torinos".
Në prezantimin e 2 prillit marrin pjesë edhe Fiorenzo Alfieri dhe Ilda Curti nga Bashkia e Torinos, Paolo Messina, Drejtor i Përgjithshëm i Bibliotekave të Torinos dhe Benko Gjata, korrespondent i ATSH-së në Itali.
Aktiviteti realizohet me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Romë, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit si edhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.
mercoledì 1 aprile 2009
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento