mercoledì 26 novembre 2008

Kosovë: Autoritetet thonë se do të kundërshtojnë çdo plan që prek sovranitetin e vendit

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në një deklaratë të përbashkët përsëritën refuzimin e tyre të plotë ndaj gjashtë pikave të zotit Ban Ki Moon.
“Përgjigja jonë ndaj raportit të Sekretarit të Përgjithshëm mbetet e njëjtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.
Në deklaratë shprehet besimi i plotë në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe NATO-n si dhe interesimi për vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën si garanci për respektimin e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj. Të dy udhëheqësit e vendit thanë se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in i cili duhet t’i përmbahet mandatit të tij për të ndihmuar institucionet e vendit në fushën e sundimit të ligjit.
“Çdo qasje tjetër që mund të marrë karakterin e daljes nga ky mandat, sigurisht se do ta ketë refuzimin tonë", tha presidenti Sejdiu.
“Kosova e ka Kushtetutën e vet, e ka Kushtetutën moderne dhe gjithçka që bie në kundërshtim me këtë Kushtetutë, për institucionet dhe popullin e Kosovës është e papranueshme, por edhe do të jetë e rezistueshme nga ana jonë", tha kryeministri Thaçi.

Nessun commento: