martedì 21 ottobre 2008

z.BIBERAJ perseri per pastrimin e figurave...ne shqiperi

Pershendetje!

Bashkangjitur do te gjeni fjalen e plote te deputetit te Partise Demokratike, Aleksander Biberaj, mbajtur ne Konferencen "Kapercimi i se kaluares-zgjidhja e ceshtjes se dosjeve te Sigurimit te Shtetit ne Gjermani dhe Shqiperi", e cila u mbajt ne Hotel Tirana International.

Faleminderit per bashkepunimin e zakonshem dhe pune te mbare
Zyra e Shtypit e deputetit Biberaj




Tirane, 21 Tetor 2008


Konferencë
"Kapërcimi i së kaluarës - zgjidhja e çështjes së dosjeve të Sigurimit
të Shtetit në Gjermani dhe Shqipëri"


I nderuar z. Ambasador,
E nderuara znj. Birthler,
Të nderuar deputetë, akademikë, historianë,
Të nderuar të ftuar,

Në radhë të pare, dëshiroj të falenderoj Ambasadën gjermane në Shqipëri, fondacionin "Friedrich Ebert" për organizimin e kësaj konference, si dhe të ftuarën speciale të kësaj konference znj. Birthler.

Po diskutojmë sot në këtë konferencë një çështje shumë të rëndësishme që ka të bëjë jo vetëm me të kaluarën, por edhe me të tashmen dhe të ardhmen e demokracisë, pasi gjykoj që pa një distancim të qartë të shoqërisë shqiptare dhe të opinionit publik nga e kaluara kriminale e regjjimit komunist dhe e Sigurimit të Shtetit, si dhe pa një pastrim të politikës nga kjo e kaluar, të sistemit të drejtësisë, të botës akademike dhe asaj mediatike, si dhe niveleve të larta vendimarrëse të administratës publike qendrore dhe asaj lokale, e tashmja dhe e ardhmja e demokracisë dhe e reformave demokratike janë të diskutueshme.

Pas rënies së sistemit komuniste në Europën Jug-Lindore në fillim të viteve '90, çështja e dënimit të krimeve të komunizmit, si dhe hapja e dosjeve të ish-persekutorëve dhe të ish-bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete është diskutuar gjerësisht si në nivele kombëtare, ashtu edhe në nivele ndërkombëtare.

Janë një sërë ligjesh të miratuara nga parlamente të ndryshme kombëtare, si dhe një sërë rezolutash të miratuara nga institucione të ndryshme ndërkombëtare për këtë çështje.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës që ka trajtuar gjerësisht dhe vazhdimisht këtë çështje, ka miratuar gjithashtu dy rezoluta. Konkretisht, në vitin 1996 ka miratuar Rezolutën me nr. 1096 mbi "Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste" dhe në vitin 2006, Rezolutën me nr.1481 mbi "Domosdoshmërinë për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste".

Ish vendet komuniste të Europës Jug-Lindore i kanë hapur tashmë që prej vitesh këto dosje të së kaluarës, duke i bërë publike ato, sikurse ka vende që ish-persekutorët kanë përfunduar përpara drejtësisë për krimet e kryera ndaj qytetarëve të vendeve tona.

Po në Shqipëri çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 18 viteve?
Në Shqipëri, megjithë denoncimet që i janë bërë diktaturës komuniste gjatë këtyre 18 viteve nga individë apo forca demokratike, asnjëherë nuk ëhstë ndërmarrë ndonjë masë për dënimin real të krimeve të komunizmit, asnjëherë nuk iu bë një gjyq politik, apo moral, diktaturës komuniste.
Përkundrazi, shpesh herë eksponentë të politikës së majtë me reminishenca nga e kaluara provokojnë jo vetëm ish-të përndjekurit politikë (viktima të krimit komunist), por qytetarët shqiptarë në përgjithësi, duke revokuar figurën e diktatorit Enver Hoxha, me qëllim që t'i japin atij sado pak sharm historik, ndërkohë që vendi i tij në histori do të jetë vendi i njeriut më monstruoz që ka njohur kombi ynë, vendi i anti-njeriut, që për pushtetin e tij personal, nuk ndalej përpara asnjë krimi, duke qenë i gatshëm për të sakrifikuar edhe një popull të tërë.

Për më tepër, askush deri më sot nga regjimi i kaluar, apo pasardhësit politikë të atij regjimi, nuk i ka kërkuar publikisht të falur popullit shqiptar, apo shtresë së ish-të përndjekurve politikë për krimet e kryera nga regjimi komunist. Natyrisht, që askush sot nuk mund t'u kthejë ish-të përndjekurve politikë rininë e humbur dhe jetën e kaluar nëpër burgje, apo kapmpe internimi, dhe ndoshta askush nuk mund t'i kompensojë ata as moralisht dhe as materialisht, por politika ka në dorë që t'iu kthejë këtyre njerëzve nderin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur me dekada me radhë nga regjimi komunist, në emër të "luftës së klasave" dhe të "diktaturës së ploretariatit". Politika shqiptare duhet të shprehë respekt, mirënjohje dhe vlerësim për veprën e tyre, për sakrificën e tyre në emër të lirisë dhe demokracisë.

Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dy rezolutat e Këshillit të Europës, por edhe në realitetin shqiptar, si dhe në vendimet e Konventës së Parë Kombëtare të Shoqatës Mbarëkombetare për Integrimin e të Përndjekurve Politikë dhe Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës, miratoi në Tetor të vitit 2006 rezolutën "Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri".

Çfarë ndodhi me këtë rezolutë gjatë këtyre 2 viteve që nga koha e miratimit të saj në tetor 2006?
Fatkeqësisht, deri tani, me përjashtim të miratimit të ligjit për kompensimin material të të ish-përndjekurve politikë (ligj që realisht po has shumë vështirësi në zbatim), asnjë paragraf i Rezolutës nuk është zbatuar. Përfitoj nga rasti për t'i bërë thirrje institucioneve përgjegjësë për zbatimin e kësaj Rezolute, që t'a zbatojnë atë, pasi ky është një detyrim jo vetëm institucional, por edhe moral dhe historik.

Rezolutë ka 17 paragrafë, ku trajtohen çështje të ndryshme, por po përqëndrohem tek çështja që ne jemi mbledhur sot, hapja e dosjeve. Rezoluta në paragrafët 10 dhe 11 të saj të cilët citon:
Paragrafi 10: Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve.
Paragrafi 11: Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike, qendrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruara.

Pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi, menjëherë u paraqitën në Kuvend tre projektligje, përkatësisht nga Partia Demokratike, partia Socialiste dhe partia Demokristiane, projektligje që për rreth 2 vjet mbetën në arkivat e Kuvendit.

Çështja rihapet perseri në pranverë të këtij viti. Duke pasur për bazë tre projekt-ligjet e paraqitura në Kuvend në vitin 2006, ligjin e miratuar në vitin 1995, si dhe amendamentet e tij, por edhe në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare dhe kryesisht atë gjermane, kam paraqitur në Kuvend në date 3 korrik 2008, mbeshtetur ne Kushtetuten e Republikes se Shqiperise, projektligjin integral "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të Administratës Publike dhe të zgjedhurve".
Në kontekstin historic, dëshiroj të kujtoj që në vitin 1995, maxhoranca e PD-së miratoi ligjin "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik", ligj që u zbatua deri në vitin 1997, kohë kur në pushtet erdhi e majta, e cila me disa amendime që i bëri ligjit ngushtoi së tepërmi rrezen e verifikimit si për ish-persekutorët, ashtu dhe për ish-bashkëpunëtorët, gjë që solli në një farë mënyre zbehjen e zbatimit të ligjit dhe zhvlerësimin gradual të tij.

Po rikthehem tek projekt-ligji që kam paraqitur në Kuvend. Gjykoj se katër janë çështjet kryesore të projektligjit të dosjeve, që përbëjnë edhe diferencat ndërmjet individëve, apo dhe grupeve politike.

1. Cili do të jetë niveli i hapjes së dosjeve dhe a do të bëhen publike ato?
Në projektigj kam paraqitur tre variante:

Neni 3 (i projektligjit)
Subjektet e verifikimit

(Varianti I)
Hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe behen pubike me përjashtim të atyre që trajtojnë cështje të sigurisë kombetare.
(varianti maksimalist)

(Varianti II)
Hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, por nuk behen publike.
Çdo qytetar i interesuar mund të marrë informacion për vehten e vet ose familjen e tij, pranë Autoritetit të Kontrollit të Figurave.

(Varianti optimal)

(Varianti III)
Subjekti i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:

a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës;
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;
f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë "Gjeneral" dhe "Kolonel";
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;
j) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);
k) Funksionarë në Gardën e Republikës;
l) Drejtues të policisë së shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;
m) Diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike;
n) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokalë të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
o) Drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe te mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë;
p) Akademikë, rektorë/zv. rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike.
q) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.

(varianti minimalist)

2. Papajtushmëria e funksioneve?

Neni 4 (i projektligjit)
Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991 të një prej detyrave të mëposhtme:

a) Anëtarë ose kandidat i Byrosë Politike, anëtarë ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;
b) Anëtarë qeverie, anëtarë i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991;
c) Zv. Ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativë (legal apo ilegal), bashkëpunëtorë sekret të organeve të Sigurimit të Shtetit;
d) Bashkëpunëtorë si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja apo të organeve analoge;
e) I dënuar me vendim të formës së prerë, për krimet kundër njerëzimit, për shpifje apo dëshmi të rremë në procese politike speciale;
f) Anëtarë i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtarë në procese politike speciale;
h) Denoncues apo dëshmitarë rëndues në proceset politike.

3. Ndërprerja e mandatit për ata që verifikohet se kanë qenë bashkëpunëtorë?

Neni 17 (i projektligjit)
Pasojat e vendimit

1. Eprori i institucionit ,apo organi i emertesës së tij, menjëherë pas marrjes së vendimit të komisionit;
a) kur zyrtari është i papërfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit;
b) kur zyrtari është i përfshirë depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit dhe cakton brenda 3 ditësh një seancë të mbyllur për t'u informuar për qëndrimin që do të ndjekë zyrtari në vijim. Gjatë zhvillimit të kësaj seance, mbahet procesverbali, i cili firmoset nga të gjithë të pranishmit dhe zyrtari, dhe një kopje e tij i dorëzohet në përfundim të seancës edhe zyrtarit. Eprori direkt në përfundim të këtij takimi ndjek këtë procedurë;

i) kur funksionari deklaron/depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, eprori arkivon kopjen e vendimit të komisionit si dokument të klasifikuar;
ii) kur funskioni deklaron se refuzon dorëheqjen vullnetare eprori i insitucionit arkivon kopjen e vendimit të komisionit dhe brenda 10 ditësh përfundon marrëdhëniet e punës me zyrtarin, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.

4. Autoriteti i Kontrollit të figurave?

Neni 5(i projektligjit)
Statusi dhe Përbërja e Autoritetit

Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurave, Autoritet, i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.
Autoriteti është organ i përhershëm mbikqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.
Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon:

a) Presidenti i Republikës;
b) Këshilli i Ministrave;
c) Drejtori i Përgjithshëm i SHISH;
d) Grupi parlamentar më i madh i maxhorancës;
e) Grupi parlamentar më i madh i opozitës.

Anëtarët e Autoriteti miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë.

(Varianti I)
Përfaqësuesi i Presidentit zgjidhet kryetar, ndërsa ai i Këshillit të Ministrave n/kryetar.
(Varianti II)
Kryetar zgjidhet i propozuari që merr me shumë vota në Kuvend ndërsa n/kryetar i dyti sipas votave.

Konkluzion:
Projektligji "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të Administratës Publike dhe të zgjedhurve" është një projektligj që, nëpërmjet kontrollit ligjor të funskionarëve të lartë, synon pastrimin e politikës shqiptare dhe të Administratës Publike, të sistemit të drejtësisë dhe të diplomacisë, të sistemit arsimor dhe të medias, si dhe të sektorëve të tjerë publikë, nga individë, të cilët me veprimtarinë e tyre legale apo ilegale për ish-Sigurimin e Shtetit dhe në shërbim të tij, kanë sjellë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut për individë dhe familje, të cilët përbënin një pjesë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.
Si pasojë e aktivitetit të këtyre individëve në shërbim dhe të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, shumë qytetarë shqiptarë të pafajshëm u burgosën, u internuan (ku një pjesë e madhe vdiqën në kampet e internimit), sikurse një pjesë u vranë me apo pa gjyq për motive të mirëfillta politike.
Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij është një detyrim politik dhe moral i klasës politike shqiptare jo vetëm ndaj shoqërisë shqiptare, por dhe ndaj historisë së vendit tonë. Gjithashtu, miratimi i këtij ligji është një detyrim moral ndaj shtresës së ish – të persekutuarve politikë, të cilët vuajtën për dekada me radhë tmerrin e diktaturës më të egër në Europën Jug-Lindore.
Shoqërisë shqiptare, nëpërmjet këtij projektligji, i krijohen kushte për t'u shkëputur njëherë e mirë nga kjo pjesë e errët e historisë dhe për t'u ndarë nga e kaluar tejet e hidhur. Nëpërmjet miratimit dhe zbatimit të këtij ligji, arrihet zbardhja dhe qartësimi i asaj që ka ndodhur në të vërtetë në kohën famëkeqe të ish-Sigurimit të Shtetit, sikurse nëpërmjet hapjes së këtij procesi ne shkojmë gradualisht drejt mbylljes së tij, por tashmë pasi e kemi zbardhur.
Miratimi dhe zbatimi i këtij ligji i çliron dhe vetë individët që kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit nga makthi i së kaluarës së tyre. Gjithashtu, miratimi dhe zbatimi i këtij ligji, i çliron këta individë nga mbajtja peng akoma, nga manipulimi apo keqpërdorimi i tyre nga struktura të errëta, ndoshta dhe në dëm të demokracisë dhe të interesave kombëtare.

Baza ligjore dhe Politike e projektligjit
Fryma e projektligjit është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me legjislacionin shqiptar, si dhe me Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë "Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri". Gjithashtu, fryma e projektligjit është në përputhje të plotë me rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe me rezolutat e miratuara nga insititucione të tjera ndërkombëtare.
Projektligji i paraqitur ka pasur parasysh gjithashtu edhe legjislacionin përkatës të miratuar dhe të zbatuar në vendet e tjera ish-komuniste të Europës, sot anëtare të Këshillit të Europës.
Gjatë këtyre 18 viteve, pas rënies së sistemit komunist, këto vende ish-komuniste kanë miratuar një sërë ligjesh, aktesh nënligjore apo vendime qeverie, lidhur me dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e arkivave sekrete të ish-shërbimeve sekrete.
Një ligj i tillë nuk ka karakter hakmarrës dhe nuk trazon aspak paqen sociale, përkundrazi i shërben pajtimit kombëtar dhe paqes sociale. Një ligj i tillë bazohet në principe demokratike dhe parime morale dhe është një detyrim i politikës shqiptare ndaj qytetarëve të saj, ndaj brezave që do të vijnë dhe ndaj historisë.
Politika shqiptare nuk ka më nevojë as për demagogji, aq për propagandë. Ka ardhur momenti që çdo politikan dhe çdo grup politik duhet të prononcohet hapur për këtë çështje, e cila ndan të tanishmen dhe të ardhmen nga e shkuara, ndan dritën nga errësira.

Nessun commento: