domenica 28 settembre 2008
LUFTA KUNDER NOLIT VAZHDON DHE SOT...!!!!!!!!!nga beqir meta
Kur shënohet 100 vjet nga mesha e parë në shqip, e mbajtur nga Fan Noli në Amerikë, historianët pohojnë se Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare edhe sot cenohet. Një ceremoni përkujtimi është organizuar dje në Muzeun Kombëtar. Kumtesave i është bashkuar edhe një ekspozitë e vogël me sende personale të Fan Nolit që ruhen në Muze. Të pranishmit kanë dëgjuar një pjesë të meshës së mbajtur në 1908, me zërin e Fan Nolit. "Krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare, përveçse përmbushjes së një detyrimi shpirtëror dhe njerëzor ndaj shqiptarëve ortodoksë, ishte edhe një akt i madh politik për plotësimin e Pavarësisë Kombëtare. Përbën një eveniment të rëndësishëm për historinë politike, të jetës sociale, historinë religjioze dhe identitetin e shqiptarëve. Por të gjithë jemi dëshmitarë se pas rënies së komunizmit ajo është cenuar mjaft nga ndërhyrje të fuqive të jashtme", - shprehet Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë. Sipas tij, beteja e gjatë dhe përpjekjet e vazhdueshme të Patriarkanës dhe qeverisë greke ndaj veprës që nisi Noli, e ka jehonën edhe në ditët e sotme, ndonëse shënohet 100 vjet nga nisma e fillimit. "Lufta kundër veprës së Nolit po vazhdon edhe sot, më shumë e fshehur se sa e hapur. Ky përvjetor duhet të jetë një moment reflektimi. Unë mendoj që studiuesit, inteligjenca, politika, opinioni, media duhet që në këtë 100-vjetor të ngrihen dhe ta vendosin në vendin e duhur dinjitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Për mua, cenimi i saj është cenim i pavarësisë, i identitetit të shqiptarëve. Këto nuk janë retorika nacionaliste, pasi të gjitha shtetet kanë kishat e tyre të pavarura dhe këto nuk mund të jenë në kundërshtim apo jashtë interesave dhe institucioneve të tjera kombëtare", - thekson Meta. Më 27 shtator, një ceremoni përkujtimore do të organizohet edhe nga Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Drejtori i Institutit të Historisë e vë në dyshim edhe forcën që ajo ka sot në diasporën shqiptare. Duke kujtuar ndikimin e madh të së shkuarës, Meta thekson se izolimi i gjatë dhe beteja e ashpër bënë që të arriheshin disa objektiva të Patriarkanës. Sipas tij, Kisha shqiptare në diasporë nuk mund të thuhet se jep atë identitet të spikatur kombëtar shqiptar siç e pati në kohën e Nolit. "Ne kurrsesi nuk duhet të fshihemi e të mbyllim sytë ndaj asaj që ndodh para nesh. Kjo do t'i shërbente afirmimit të dinjitet të shtetit shqiptar dhe integrimit në Europë, si një popull me dinjitet dhe jo si popull që në këto sfera shpirtërore pranon deformime të përçudnueshme. Ndihma ndaj Kishës nuk është kontrolli ndaj saj, por është përgatitja e prelatëve dhe klerikëve. Ka pasur mjaft kohë këto 18 vjet për t'u përgatitur, por ka munguar vullneti. Sot mund të kishim klerikë që mund ta drejtonin fare mirë kishën, në mënyrë që të kishte vendin e vet në institucionet kombëtare. Ky është një moment për të reflektuar më shumë se sa festë, me synimin që kisha shqiptare të kthehet në identitetin e Nolit, identitetin që i dha asaj At Marko, Sotir Peci e shumë patriotë të tjerë shqiptarë, që janë emblema të pashlyeshme të Ortodoksisë Shqiptare", - shprehet Meta. Mesha e Fan Nolit Themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare i ka fillimet në vitin 1908, kur Pavarësia e Shqipërisë ende nuk ishte shpallur. Ka qenë një ngjarje e rëndomtë, por shumë kuptimplotë. Erdhi si kundërshtim i Kishës Ortodokse greke në Amerikë për të kryer shërbesat e një emigranti ortodoks shqiptar. Arsyeja lidhej me veprimtarinë e tij në mbështetje të çështjes kombëtare. Atëherë si reaksion ka lindur kërkesa e komunitetit të vogël shqiptar që ndodhej për të themeluar një kishë të pavarur, e cila meshonte në gjuhën shqipe dhe të kishte priftërinj shqiptarë. "Roli më i madh historik i takon Nolit, i cili veshi për herë të parë rasën e priftit për t'i shërbyer bashkëkombësve të vet dhe krijimit të kishës shqiptare. Fillimisht arriti të merrte pëlqimin e një peshkopi të kishës ortodokse ruse në Amerikë. Kishat e tjera hezitonin për të mos prishur marrëdhëniet me kishën greke. Por edhe ai më pas e tërhoqi premtimin e tij. Atëherë Noli u shpall drejtues i Kishës dhe peshkop me pëlqimin e shqiptarëve ortodoksë. Nga kjo ngjarje shumë e thjeshtë do të vinim më pas ngjarje të tjera. Në Amerikë erdhën duke u forcuar përpjekjet për konsolidimin e kishës kombëtare, në një kohë që të parat ishin shënuar në shqiptarët e Rumanisë. Kishte arsye madhore që nuk ndodhnin në Shqipëri. Ushtrohej një presion i fortë mbi ortodoksët shqiptarë nga Patriarkana greke, e cila ishte në aleancë me qeverinë osmane. Këta ishin dy faktorë madhor që shtypnin çdo lloj përpjekje brenda dhe jashtë vendit. Vepra nga më të ndryshmet ndodhën në atë kohë, duke nisur nga helmimi i aktivistëve të kishës shqiptare deri te çkishërimi e masa të ndryshme izolative ndaj tyre", - thekson historiani Beqir Meta. Kongresi kishtar i Beratit, më 1918, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ishte hapi vendimtar. Me sigurimin e Pavarësisë në Konferencën e Ambasadorëve, për herë të parë krijohen kushtet që shqiptarët të themelonin kishën e tyre. Ky vit shënon edhe datën e saktë e themelimit si institucion, por fillesat kanë të bëjmë me atë meshë në shqip që u mbajt për herë të parë më 1908-ën. Më 1937, me përpjekjet e Zogut, me disa lëshime u arrit që Patriarkana të njihte Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Diaspora Beqir Meta ndalet edhe te roli i Kishës Ortodokse Shqiptare në diasporë. Sipas tij, veçanërisht në Amerikë ajo ka luajtur një rol veçanërisht të madh mes Luftës Ballkanike dhe asaj Botërore, pasi ishte antidot i gjithë helmit shovinist grek që po derdhej ndaj Shqipërisë në Konferencën e Paqes. "Drejtuesit e kësaj kishe që ishin shqiptarë ortodoks, paraqitën nota, memorandume, dokumente diplomatike fuqive të mëdha, ku i provonin që ortodoksët shqiptarë ishin pjesë e kombit dhe e shtetit shqiptar", - thekson Meta. Ai vazhdon duke thënë se beteja ka vazhduar gjatë në diasporë edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Duke përfituar nga izolimi i kolonive shqiptare dhe politika që ndiqte regjimi komunist, Patriarkana dhe qeveria greke u përpoq që të zhdukte në komunitetet jashtë ndjenjën për të krijuar e për të mbajtur gjallë Kishën Ortodokse Shqiptare e më pas ta greqizonte të gjithë kishën nën kontrollin e vet. Gazeta Shqiptare
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento