Biberaj: Nuk ka asnjë ngjashmëri ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut
Kryetari i Delegacionit parlamentar Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, njëkohësisht zv.President i kësaj Asambleje, deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj ka theksuar në mbledhjen e Komitetit Politik të KE-së se "nuk ka asnjë lloj ngjashmërie ndëmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut, pasi Kosova ka qenë dhe mbetet një rast unik që nuk mund të shërbejë dhe as të përdoret si precedent për asnjë lloj rasti tjetër".
Në debatin e zhvilluar në mbledhjen e Komitetit Politik, punimet e së cilës po zhvillohen në Paris, lidhur me situatën e krijuar pas konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, zoti Biberaj ka kërkuar nga kolegët deputetë europianë t'i përmbahen rendit të ditës. Zoti Biberaj ka kundërshtuar gjithashtu komentet e bëra nga deputetët rusë dhe serbë për ngjashmëri ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut.
Zoti Biberaj u ka kujtuar kolegëve europianë se çfarë ndodhi në Kosovë në vitin 1999, kur Sllobodan Milosheviçi dhe ushtria serbe filluan politikën e spastrimit etnik, duke vrarë rreth 15.000 kosovarë, duke përzënë rreth 1 milion, si dhe duke zhdukur me mijëra të tjerë, që nuk janë gjendur ende deri më sot. Gjithashtu, ai ka sjellë në vëmendje ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, si dhe administrimin e Kosovës nga Kombet e Bashkuara që prej këtij viti (1999).
Në përfundim, zoti Biberaj ka theksuar se Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë dhe se sot është shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian, të Këshillit të Europës dhe të NATO-s, shtet që po ndërton të ardhmen e vet europiane.
Lidhur me konfliktin Rusi-Gjeorgji, zoti Biberaj ka dënuar agresionin rus ndaj Gjeorgjisë. Ai ka theksuar se politika europiane duhet të jetë e bashkuar dhe t'i dërgojë mesazhe të qarta Rusisë, pasi ka ikur koha e perandorive.
Zyra e Shtypit dhe Informacionit
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento